Site icon Telegrafi

Forumi Ekonomik i Grave paralajmëron protestë kundër Qeverisë, shkak heqja e Ligjit për Punën nga kalendari legjislativ 2024

Forumi Ekonomik i Grave (FEG) ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për të hequr Ligjin për Punën nga kalendari legjislativ i vitit 2024.

Në përgjigje të këtij vendimi, organizata ka vendosur të organizojë një protestë më 16 shtator 2024, në orën 16:30, përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Sipas FEG, ky ligj ka qenë në proces ndryshimi që nga viti 2018 dhe është konsideruar thelbësor për përparimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e mirëqenies sociale në vend. Organizata ka theksuar se, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes letrave drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit Hekuran Murati, nuk kanë marrë asnjë reagim zyrtar.

FEG ka bërë thirrje për kthimin e Ligjit për Punën në programin legjislativ të vitit 2024 dhe për zhvillimin e konsultimeve publike në lidhje me të. Sipas tyre, qeveria e kishte premtuar mirëqenien sociale si një nga prioritetet kryesore gjatë fushatës elektorale, por deri më tani, çështjet kryesore të mbrojtjes së të drejtave të punës dhe barazisë gjinore nuk janë adresuar.

Një ndër shqetësimet kryesore të FEG është fakti se vetëm 2 nga 10 gra në Kosovë janë të punësuara, dhe se kjo shifër ka mbetur pothuajse e pandryshuar ndër vite. Ligji aktual i punës përjashton gratë nga tregu i punës për shkak të diskriminimit gjinor në punësim, veçanërisht në rastin e lejes së lehonisë, ku punëdhënësit shmangin përgjegjësitë e tyre.

Një tjetër çështje e ngritur është se burrat nuk kanë të drejta të barabarta për lejen prindërore, duke shkelur të drejtat e tyre të barabarta sipas Ligjit për Barazi Gjinore. Po ashtu, FEG ka theksuar se Kosova ende nuk e ka harmonizuar Ligjin e Punës me Direktivën e Bashkimit Evropian për Balancën midis Punës dhe Jetës.

Forumi ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për të përfshirë këtë ligj në kalendarin legjislativ, do të ketë mobilizim të gjerë dhe protesta të vazhdueshme deri në përmbushjen e kërkesave të tyre./Telegrafi/

Exit mobile version