Telegrafi

Forum ekonomik në mes të Kosoves dhe Maqedonisë

Përfaqësuesit Odës Ekonomike të Kosovës dhe Maqedonisë të hënën në prezencën e ministrit të ekonomisë dhe financave të Maqedonisë, Fatmir Besimi biseduan lidhur me thellimin e bashkëpunimit në mes të ekonomive të dy vendeve.

"Oda Ekonomike e Kosovës është e interesuar që bashkëpunimin ekonomik me Maqedoninë si njërin ndër partnerët më të rëndësishëm ta ngrit në nivel edhe më të lartë duke gjetur forma të bashkëpunimit më të avancuar dhe në këtë drejtim ne kemi disa propozime konkrete", tha Beqaj.

Kryetari i OEK-ut kërkoi thjeshtësimin e procedurave doganore deri në momentin e harmonizimit të kontrollit doganor në një pikë, që do ti kontribuonte këmbimeve tregtare në mes të dy vendeve.

Përfaqësuesit e biznesit nga Kosova, siç tha kryetari i OEK-ut konsiderojnë se të dy vendet duhet të punojnë më shumë në depërtimin e prodhimeve të njërit vend në tjetrin.

Beqaj tha se OEK-u konsideron të rëndësishëm ndryshimin e kuotave të sigurimit të mallrave dhe njerëzve dhe se ato duhet të janë "më miqësore për të dy vendet.

Komuniteti i biznesit konsideron se duhet bërë më shumë që transporti i mallrave të kryhet përmes hekurudhave, tha kryetari i OEK-ut.

OEK-u me OEM dhe me partnerët e tjerë në këtë vend është i gatshëm që të bëjë promovime, këmbime të informacioneve dhe produkteve nga të dyja vendet, që do ti paraprijnë arritjes së marrëveshjes për heqjen e tatimeve të dyfishta në mes të qeverive të të dy vendeve.

OEK-u, konsideron se mbajtja e një Forumi Ekonomik me rastin e vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike në mes të dy vendeve do ti kontribuonte që bizneset të shohin ndryshe njëri tjetrin, tha kryetari Beqaj.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Maqedonisë, Fatmir Besimi duke përkrahur propozimet e dhëna nga kryetari i OEK-ut theksoi se Maqedonia nuk ka interes te njëanshëm që të realizon suficit tregtar me ekonominë e Kosovës

"Interesi për bashkëpunim ekonomik vazhdon të jetë dhe mendojmë që tani përveç bashkëpunimit tregtar mund të ngritët edhe në nivel të investimeve të përbashkëta. Në Maqedoni ka biznesmen dhe afaristë të suksesshëm të cilët mund të bëjnë investime në bizneset në Kosovë".

Ministri Besimi theksoi se mund të sigurohet pjesëmarrja e bizneseve nga Maqedonia në ndërtimin e infrastrukturës në Kosovë, duke pasur parasysh ndihmën që iu dha Kosovës në konferencën e donatorëve.

Ai informoi se në takimet me ministrat e Qeverisë së Kosovës është biseduar për marrëveshjet për mbrojtjen e investimeve, heqjen e tatimit të dyfishtë dhe lidhur me këto çështje do të informohen ministrat e Qeverisë së Maqedonisë.

"Gjithashtu për me u realizua e tërë kjo dhe për tu zgjeruar bashkëpunimi duhet ngritur Komitetin për bashkëpunim ekonomik", porositi ministri Besimi.

Edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë, Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe asociacionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë përkrahen propozimet e dhëna nga kryetari i OEK-ut duke theksuar se duhet filluar me aktivitete konkrete te cilat mund të duken të vogla në fillim por të cilat mund të japin rezultate jashtëzakonisht të rëndësishme./telegrafi/