Këtë të diele u zhvillua finalja mes Fortunave dhe Tafa Torit që përfundoi me rezultat 2-1 për ekipin nga Dobraja. Kjo ndeshje u gjykua nga gjyqtarja e Superliges së Kosovës, Sanije Krasniqi, dhe u ndjek nga më shumë së 1200 tifozë të pranishëm në fushën sportive ‘Toni’.
Lojtari më i mirë i sezonit u shpall Ylber Statovci i Fortunave ndërkaq portieri më i mirë u zgjedh Shqipdon Bislimi nga Tafa Tori. Këpucën e artë e golashënuesit me të mirë i takoi Mustafë Ismajlit nga Tafa Tori me 60 gola të shënuar.
Liga Total kështu mbyll një sezon të shkëlqyer dhe shumë të suksesshëm. Gjatë gjithë këtyre muajve kjo ligë ishte shumë e ndjekur nga tifozët dhe sportdashësit në përgjithësi. Në të morën pjesë lojtarë nga më të mirët në Kosovë, si Muhamet Dragusha, Narcist Alibegu, Labinot Ibrahimi, Mentor Mazrekaj e shumë e shumë të tjerë.
Organizatori i ‘Liga Total’ premtoi që për sezonin e ri që fillon në shtator të këtij viti do të sjellë shumë risi edhe më të mëdha, duke përmirësuar çdo defekt të mundshëm.
“Po planifikojmë një sezon edhe më të mirë dhe shpresojmë që të realizohen planet tona dhe që gjithçka të ec mbarë edhe vitin tjetër”, tha organizatori i ‘Liga Total’, Dardan Saraçi.
Liga Total do mbajë dhe një turne në Durrës në muajin gusht, ku disa skuadra të ligës do udhëtojnë në Shqipëri për një vizitë pesë ditore në bregdetin shqiptar. /Telegrafi/