Telegrafi

Formula e re e përzgjedhjes së konkurrentëve në Kënga Magjike

Pasditen e të dielës ka nisur zyrtarisht festivali ‘Kënga Magjike 2016’ dhe kjo është lajmëruar nga vet prezantuesi i këtij kompeticioni, Ardit Gjebrea, tek “E diela shqiptare”.

Risi këtë vit do të jetë formula e re e përzgjedhjes së konkurrentëve. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë kemi të bëjmë me dy kategori konkurrentësh: ata që kanë marrë pjesë në netët finale të Festivalit të Fundvitit në RTSH, “Këngës Magjike” dhe “Top Fest”, dhe ata që vijnë për herë të parë apo nuk kanë prekur netët finale në këto festivale.

Kategoritë do të jenë “Të kualifikuarit” dhe “New Artist”, bën të ditur Blitz.al.

Kategoria e dytë do t’i nënshtrohet një filtrimi nga juria, e cila përbëhet nga pesë emra të njohur: Juliana Pasha, Olti Curri, Venera Lumani, Dj Sardi dhe Ulis Krajka.

Përzgjedhja nga kjo juri do të bëhet gjatë prezantimit të këngëve tek “E diela Shqiptare” e në bazë të pikëve të dhëna nga juria do të bëhet kalimi në fazën tjetër, që janë netët gjysmëfinale në Pallatin e Kongreseve.