Drejtori ekzekutiv i Formula 1 – nivelit më të lartë global të garave me vetura – ka përjashtuar çdo mundësi që sporti të bëhet elektrik, duke thënë se karburantet e qëndrueshme do ta lejojnë atë të arrijë objektivin e tij për neutralitetin e karbonit deri në vitin 2030.
Në një intervistë me gazetën italiane Il Sole 24 Ore, drejtori ekzekutiv i Formula 1, Stefano Domenicali raportohet se deklaroi se sporti “nuk do të bëhet kurrë elektrik” pavarësisht nga përpjekjet për të prodhuar emetime neto zero para fundit të dekadës.
Në vend të kësaj, Formula 1 do të reduktojë emetimet e bolidëve në pistë duke detyruar përdorimin e karburanteve të qëndrueshme nga veturat garuese, raporton Drive, transmeton Telegrafi.
Momentalisht, të gjitha veturat e Formula 1 fuqinë e marrin nga derivatet E10 – e cila përbëhet prej 90 për qind nga derivatet e fosileve dhe 10 për qind nga etanoli, e që është e njëjtë me derivatet të cilat mund t’i gjeni në stacionin lokal të benzinës, megjithëse karburantet e garave prodhohen me një standard shumë më të lartë.
Nga viti 2026, të gjithë motorët e veturave të Formula 1 do të furnizohen me karburant sintetik “100 për qind të qëndrueshëm”, duke bërë që prodhuesit e veturave si Ford, Audi dhe Cadillac të hyjnë në seri për të rikthyer imazhin “të gjelbër” të sportit.
Veturat do të vazhdojnë të fuqizohen nga motorë me benzinë 1.6 litra V6 me “turbocharge” – edhe pse nga viti 2026 sistemi hibrid i makinës do të prodhojë afërsisht trefishin e fuqisë aktuale, duke e rritur atë nga 120kW në 350kW.
Kjo do të thotë se motori V6 me benzinë – i cili tani prodhon fuqi prej 400kW – pothuajse do të përputhet me sistemin hibrid. Pavarësisht shtytjes së Formula 1 për t’u “bërë e gjelbër” gjatë dekadës së fundit – dhe duke qenë një adoptues i hershëm i teknologjisë hibride në garat globale të motorëve – nuk ka qenë aq i shpejtë për të adoptuar karburante të qëndrueshme sa seritë e tjera të sporteve motorike. /Telegrafi/