Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka thënë se grupi i saj i sapoformuar këshillues mbi patogjenët e rrezikshëm mund të jetë “shansi ynë i fundit” për të përcaktuar origjinën e virusit SARS-CoV-2 dhe bëri thirrje për bashkëpunim nga Kina.
Rastet e para tek njerëzit me Covid-19 u raportuan në qytetin qendror kinez Wuhan në dhjetor të vitit 2019.
Kina ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur teoritë se virusi ka rrjedhur nga një prej laboratorëve të saj dhe ka thënë se nuk ka nevojë për më shumë vizita.
Një ekip i udhëhequr nga OBSH kaloi katër javë brenda dhe rreth Wuhan në fillim të këtij viti me shkencëtarët kinezë, dhe tha në një raport të përbashkët në mars se virusi ndoshta ishte transmetuar nga lakuriqët tek njerëzit përmes një kafshe tjetër, por kërkime të mëtejshme ishin të nevojshme.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se hetimi u pengua nga mungesa e të dhënave të papërpunuara që kanë të bëjnë me ditët e para të përhapjes së shpërthimit dhe ka bërë thirrje për kontrolle laboratorike.
Në këtë drejtim, OBSH të mërkurën emëroi 26 anëtarët e propozuar të Grupit të saj Këshillimor Shkencor mbi Origjinat e Patogjenëve të Ri (SAGO).
Aty përfshihen Marion Koopmans, Thea Fischer, Hung Nguyen dhe ekspertin kinez të shëndetit të kafshëve Yang Yungui, të cilët morën pjesë në hetimin e përbashkët në Wuhan. /Telegrafi/