Është formuar grup pune, ku përfaqësues të disa institucioneve duhet të transformojnë sistemin e menaxhimit të krizave.
Duhet bërë analizë serioze shkaqeve që e çuan vendin në situatë ku nuk mund të përballet me zjarret, por edhe për të parë se si është situata dhe në bazë të kësaj të përgatitet strategji. Zjarret kanë shkatërruar qindra hektarë pyje në të gjithë vendin këtë verë.
“Hapi i parë është të jemi sa më të përgatitur për vitin e ardhshëm, për të përjashtuar çdo rrezik për diçka të ngjashme me atë që ndodhi këtë verë. Dhjetë ose më shumë ligje do të duhet të ndryshohen. Do të duhet të hartohet Ligj i ri për zjarret. Duhet të zgjerohen institucionet që do të përfshihen në sistem, për shembull Ndërmarrja publike për menaxhimin e kullotave”, tha Lupço Dimovski- zëvendëskryeministër.
Një nga zgjidhjet është bashkimi i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe Qendrës për menaxhim me kriza, por kjo nuk do të thotë se është zgjidhja përfundimtare, thotë Dimovski, megjithatë, shton se është proces kompleks që së paku do të zgjasë dy vjet.
“Kjo strategji do të jetë me hapa, është proces i gjatë dhe ndoshta do të zgjasë dy vjet, por kjo nuk do të thotë që me atë që kemi përfunduar, për shembull zjarret, nuk duhet të jemi gati”, u shpreh Lupço Dimovski- zëvendëskryeministër.
“Ohri ka numër më të vogël të zjarrfikësve, sipas asaj që është paraparë me ligj. Por nëse këto takime përfundimisht rezultojnë me zgjidhje sistematike për të gjitha institucionet që reagojnë në kohë krize, atëherë mendoj se shteti dhe komunat së bashku do të kenë sistem të plotë që do të mund të përballojë çdo krizë”, theksoi Kiril Pecakov- kryetar i komunës së Ohrit.
Transformimi i sistemit të menaxhimit të krizave u imponua pasi shteti rezultoi i papërgatitur për të reaguar në kohë në parandalimin dhe uljen e dëmeve gjatë fatkeqësive të ndryshme./Alsat/