Site icon Telegrafi

Formimi i Kosovës A në konkurrencën e femrave do të ishte historike dhe e mirëpritur për basketbollin

(Foto: basketbolli.com)

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është duke shikuar mundësinë që të paraqesë për herë të parë në garat ndërkombëtare Përfaqësuesen A, në konkurrencën e femrave. Kjo do të ishte hera e parë që Kosova A (Femrat) do të luante zyrtarisht në garat evropiane.

Sidoqoftë, ky propozim duhet të miratohet në Bordin e FBK-së, ku do të diskutohet më pas se, edhe me cilat Përfaqësuese të Reja të femrave do të garojmë në FIBA Kampionate Evropiane në vitin e ardhshëm.

Njëra nga basketbollistet më të dalluara në Kosovë, Irma Konjusha, e ka mirëpritur këtë ide. “Formimi i Përfaqësueses A te femrat është një lajm shumë i mirë për ne, që luajmë basketboll. Do të ishte një shpërblim për mundin që kemi bërë me vite.

Formimi i Kosovës A do të ishte shumë i rëndësishëm për basketbollin e femrave dhe një motivim për vajzat e reja që të merren edhe më shumë me basketboll”, është shprehur Konjusha për faqen zyrtare të FBK-së.

Basketbollistja e Mabetex Prishtinës ka folur edhe për rëndësinë që do të kishte formimi i Kosovës A te femrat. “Do të shpërblehej sakrifica me vite, por do të ishte edhe një mundësi të garonim me shtete që kanë cilësi të ngjashme me ne.

Gjithashtu shumë lojtare do të fitonin përvojë ndërkombëtare. Mund të formojmë një ekip të konsoliduar me lojtare me përvojë, por edhe me ato të reja. Do të ishte shumë i mirëseardhur formimi i Kosovës A te femrat. Do të ishte një përvojë e paharrueshme, por edhe historike për basketbollin e femrave në Kosovë”, theksoi Konjusha.

Exit mobile version