Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike.
Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri ka pyetur qeverinë se “kujt po i frikohen” për formimin e këtij komisioni.
Ai në konferencë para gazetarëve, tha se nuk e dinë se sa kanë paguar rrymën për qytetarët e veriut.
“Pyetja e parë që do të duhej t’i bëhet qeverisë-Kujt po i frikoheni? Pse po hezitoni që të bëni një hetim parlamentar? A po frikoheni për shkak se keni bërë pagesa të rrymës për veriun e Kosovës, në disa deklarime 40 milionë, me disa deklarime edhe më shumë. Por, ne si parlament nuk e dimë sa kanë paguar për qytetarët e veriut dhe kanë diskriminuar duke ngritur çmimin për një kategori të qytetarëve dhe jo për një kategori tjetër”, ka deklaruar ai.
Ai ka përmendur sinkronizimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me qeverinë për vendosjen e tarifave të reja.
“A po frikoheni që kjo del në shesh në hetimin parlamentar. E treta, a po frikoheni që do të del fakti që jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që kemi shpallur gjendje emergjente në raport me energjinë. Ne e kemi votuar si AAK, por mos të ishin votat e Aleancës nuk do të votohej. Pse si qeveri jemi vendi i fundit që kemi marrë veprime. Çka po mbani fshehtë, kjo është tema?”, shtoi ai.
Kuvendi i Kosovës, me 23 vota për, 50 vota kundër dhe asnjë abstenim, ka dështuar që të formojë Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës. kp/Telegrafi/