Site icon Telegrafi

Formalizohet aplikacioni i parë 30 milionësh për investime në fushën e minierave

Konsorciumi i përbërë nga Moxico Resources (Angli), Pluto Investment AG (Zvicër) dhe Luma Investment SA (Poloni), kanë dorëzuar te ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi aplikacionin për statusin e investitorit strategjik në fushën e minierave.

Në një takim të mbajtur në zyrat e Ministrisë së Diasporës, përfaqësuesit e këtij konsorciumi, i cili ka mbi 20 mijë punëtorë në operacionet e saj në botë, u shprehën të kënaqur me përkrahjen e ofruar si nga MDIS , MTI ashtu edhe KIESA.

Nga ana tjetër, ministri Gashi u zotua se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në fazat vijuese.

“Ne, bazuar në zotimet tona si institucione, do të jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë të pa-rezervë për përshpejtimin dhe thjeshtimin e procedurave administrative, dhe teknikaliteteve të tjera të nevojshme, ashtu që ky projekt i cili ka vlerën mbi 30 milionë EUR të fillojë sa më shpejt”, tha ministri Gashi.

Konsorciumi britanik-zviceran-polak është përqendruar në zhvillimin e biznesit në sektorin e minierave, respektivisht në tri zonat me interes kombëtar në Komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përkatësisht në Karaçë, Vllahi dhe Gumnishtë.

Ndryshe, projekti do të zhvillojë sektorin minerar të Kosovës dhe do të nxisë zhvillimin lokal dhe të komunitetit në këto zona. /Telegrafi/

Exit mobile version