Site icon Telegrafi

Formacioni më i mirë i xhiros së 25-të në BKT Superligë

Ka përfunduar xhiro e 25-të në elitën e futbollit kosovar BKT Superliga e Kosovës.

Vëmendja kryesore këtë javë ka qenë në Gjilan, ku Gjilani ka pritur Llapin, ndeshje që përfundoi baras 1-1.

Prishtina vazhdoi me fitore pasi mposhti Ulpianën me rezultat 2-0, derisa Ballkani mposhti Feronikelin 6-0.

Drita ka vazhduar pa fitore edhe pas katër ndeshjeve ku ka barazuar në udhëtim te Dukagjini 0-0, derisa Malisheva ka mposhtur me rezultat 2-3 Drenicën.

Telegrafi si gjithnjë ka zgjedhur më të mirët e javës si dhe trajnerin më të mirë.

Portieri

Eglant Haxho është rikthyer në portë pas një kohe të gjatë në portë dhe ka treguar klasin e tij. Portieri shqiptar ka shpëtuar Prishtinën në disa raste në duel me Ulpianën, duke qenë fantastik në këtë sfidë të fituar nga kryeqytetasit 2-0.

Mbrojtja

Në krahun e djathtë të mbrojtjes vjen Bujar Idrizi. Kapiteni i Llapit ishte në nivel në përballje me Gjilanin, duke neutralizuar lojtarin më të mirë të vendasve Gerhard Prognin. Në qendër dy mbrojtësit vijnë nga dueli Dukagjini – Drita.

Elton Basriu vjen nga Dukagjini pasi u përkujdes që ta ndalë Marko Simonovskin, derisa së bashku me të në qendër të mbrojtjes është Tun Bardhoku që shkëlqeu me Dritën duke ndalur sulmuesit e rrezikshëm të Dukagjinit.

Në krahun e majtë të mbrojtjes vjen Arbër Potoku që u fut nga banka rezervë për Ballkanin dhe realizoi dy gola ndaj Feronikelit.

Mesfusha

Vitor Hugo luajti në mesfushë për herë të parë këtë edicion dhe shkëlqeu. Braziliani tregoi lojë shumë të mirë ndaj Dritës duke shkatërruar aksionet e mysafirëve. Përkrah tij në mesfushë vije edhe Agron Bruqi që ishte fantastik ndaj Drenicës. Bruqi përveç golit të shënuar kreu mjaftë punë edhe në defensivë duke ndihmuar Malishevën t’i marrë tri pikë të mëdha.

Qëndrim Zyba ka lënë mbrapa tanimë lëndimin e pësuar dhe është rikthyer në formën më të mirë të mundshme. Mesfushori i talentuar ka qenë më i miri në fushë për Prishtinën ndaj Ulpianës duke realizuar edhe një gol spektakolar.

Hasan Hyseni vjen në krahun e djathtë të sulmit, falë një tjetër paraqitje fantastike me Malishevën. Sulmuesi këmbëshpejtë ishte i jashtëzakonshëm ndaj Drenicës duke realizuar edhe një gol të mrekullueshëm.

Në krahun e majtë është Valmir Veliu që ka vazhduar shkëlqimin me Llapin. Talenti llapjan asistoi për mrekulli për golin e Franco Riverës, teksa ishte i pandalshëm për mbrojtjen e Gjilanit.

Sulmi

Shend Kelmendi po e shpërblen besimin e trajnerit Ismet Munishi. Sulmuesi prishtinas shënoi në derbi, por ai e shpëtoi skuadrën e tij nga humbja edhe në sfidën ndaj Llapit. Kelmendi ishte gjatë gjithë ndeshjes rreziku kryesor i Llapit, derisa në minutat shtesë realizoi një gol të bukur për t’i dhuruar një pikë skuadrës së tij.

Trajneri i javës

Arsim Thaçi merr epitetin e trajnerit të xhiros së 25-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

Tekniku kosovar fitoi derbin për mbijetesë me Drenicën në udhëtim 2-3. Malisheva tregoi një lojë të bukur dhe morën tri pikë të arta nga udhëtimi në Skenderaj.

/Telegrafi/

Exit mobile version