Site icon Telegrafi

Formacioni më i mirë i javës së 14-të në Ipko Superligë

Java e 14-të në elitën e futbollit kosovar ka përfunduar shumë befasi.

Dy derbi të mëdhenj janë zhvilluar, në Therandë dhe Prishtinë, ku Ballkani luajti baras 1-1 me Llapin, ndërsa kampioni në fuqi Feronikeli mposhti Prishtinën.

E pas përfundimit të kësaj jave ka pasur ndryshime edhe në tabelë, ku Gjilani tani ka rrëmbyer pozitën e parë.

Si çdo javë edhe këtë herë Telegrafi ka zgjedhur formacionin më të mirë të javës së 14-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Portieri:

Altik Muhaxhiri pa pikë dyshimi ka qenë portieri më i mirë i javës së 14-të. Gjakovari është shndërruar në ‘Njeriun Merimangë’ në duelin ndaj Dritës, duke pritur mbi 10 gjuajtje të vendasve. Tiki ishte i jashtëzakonshëm, por në fund pranoi një gol nga penalltia në humbjen e Dukagjinit 1-0. Në sfidën ndaj Dritës, Altiki tregoi gjithë potencialin që posedon.

Mbrojtja:

Kësaj radhe vije me tre, tre qendërmbrojtës të fuqishëm që shkëlqyen, por dy nga ta ishin edhe golashënues. Kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci përpos lojës së mirë në mbrojtje realizoi edhe gol ndaj Prishtinës dhe njësoj veproi edhe Arsen Sykaj i Drenicës. Ndërkohë treshen e mbrojtjes e komplet mbrojtësi fantastik i Llapit, Prenci që edhe në duel me Ballkanin tregoi cilësitë që ka.

Mesfusha:

Bunjamin Shabani ndodhet në pozitën e mesfushorit të djathtë. Anësori i Dritës, ishte më aktivi në fushë ndaj Dukagjinit dhe tentoi disa herë portën, por sikur mos të ishte Muhaxhiri në portë ai do të shënonte dy ose tre gola. Në krahun e majtë vije Arbër Potoku që zhvilloi një ndeshje të madhe ndaj Llapit dhe ishte realizues i vetëm për Ballkanin.

Në qendër të mesfushës ndodhet Argjend Bardhi i Drenicës që ishte ndër më të mirët në fushë ndaj 89-shit, ku edhe realizoi gol. Së bashku me Bardhin është edhe Erjon Vucaj i Dritës, njeriu më meritor për triumfin e bardhekaltërve pasi me mjeshtri fitoi një penallti në minutën e 90-të.

Sulmi:

Gerhard Progni vazhdon të shkëlqejë në çdo stadium të Kosovës. Vushtrria ishte qyteti i radhës për të parë magjinë e yllit të Gjilanit, që shënoi një gol të jashtëzakonshëm në fitoren e bardhekuqve 1-3.

Adenis Shala ishte vendimtar me golin e tij në fitoren e parë të Ferizajt para tifozëve të vet, ndërsa Jean Carioca shkëlqeu në kryeqytet ku me dy golat e tij fantastik i dha fitoren Feronikelit në derbi ndaj Prishtinës.

Trajneri i javës:

Feronikeli mori një fitore të madhe në udhëtim te Prishtina dhe për këtë merita të mëdha ka trajnerin Agim Sopi. Në ndeshjen e dytë në futbollin kosovar, Sopi tregoi se është strateg i madh duke i bërë zëvendësimet e qëlluara që sollën fitoren e ekipit të tij. Kujtojmë që Feronikeli ishte dy herë në disavantazh ndaj Prishtinës, por në fund u rikthye dhe fitoi takimit 2-3. /Telegrafi/

Exit mobile version