Ka përfunduar xhiro e 13-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.
Ballkani ka triumfuar në derbin e javës ndaj Dritës me rezultat të pastër 2-0, derisa derbi tjetër mes Gjilanit dhe Prishtinës përfundoi në barazim 1-1.
Ulpiana ka vazhduar me befasi pasi ka mposhtur Drenicën 0-1, e me të njëjtin rezultat në udhëtim fitoi edhe Llapi te Malisheva. Fitore ka marrë edhe Dukagjini i Klinës që ka mposhtur Feronikelin 1-0.
Si gjithnjë Telegrafi ka zgjedhur më të mirët e kësaj jave në elitën e futbollit kosovar.
Portier:
Betim Halimi ka rikthyer formën e dikurshme dhe këtë javë ka qenë shpëtimtar i Prishtinës. Kryeqytetasit kanë vuajtur shumë ndaj Gjilanit, derisa Halimi është më meritori që skuadra e udhëhequr nga Zekirija Ramadani ka marrë një pikë në udhëtim te Gjilani falë pritjeve spektakolare që ka bërë.
Mbrojtja:
Tomsilav Sorsa ka qenë lojtari më aktiv te Gjilani në derbin ndaj Prishtinës. Kroati ka qenë fantastik në krahun e djathtë duke rrezikuar shpesh herë mysafirët, por edhe duke luajtur mjaftë mirë në repartin defensivë.
Bajram Jashanica e Akil Makolli janë vendosur në qendër të mbrojtjes. Si mbrojtësi i Ballkanit ashtu edhe ai i Ulpianës këtë sezon janë duke zhvilluar ndeshje të mëdha. Jashanica asistoi në fitoren ndaj Dritës dhe ishte i pakalueshëm në mbrojtje, derisa Makolli bëri paraqitje fantastike përballë sulmuesve të rrezikshëm të Drenicës.
Në krahun e majtë vjen përsëri Arbër Shala i Dukagjinit. Mbrojtësi rahovecias bëri ndeshje të madhe ndaj Feronikelit, sidomos në repartin defensivë duke qenë i pakalueshëm në krahun e majtë të mbrojtjes.
Mesfusha:
Edvin Kuc ka qenë futbollisti që ka vrapuar më së shumti në ndeshjen Ballkani – Drita. Mesfushori shqiptar nga Mali i Zi në asnjë moment nuk është ndalur në këtë takim, duke dominuar në mesfushë, por edhe duke asistuar në golin e parë të shënuar nga Solomon.
Bujar Shabani ka qenë vendimtar për Dukagjinin e Klinës në fitoren 1-0 ndaj Feronikelit. Përveç lojës së mirë që bëri në mesfushë, Shabani shënoi edhe një gol fantastik, gol që ishte i fitores.
Arbnor Ramadani dhe Valmi Veliu vijnë më të avancuar sa i përket repartit të mesfushës. Dyshja e Llapit ishin në top formë përballë Malishevës dhe më meritorët që llapjanët i morën tri pikët në udhëtim.
Sulmuesit:
Marcelei Santos ka qenë në një tjetër ndeshje vendimtar për Ulpianën. Sulmuesi brazilian shënoi golin e vetëm ndaj Drenicës, gol që i dhuroi tri pikë lipjanasve.
Theuphilus Solomon ishte njeriu i ndeshjes në sfidën Ballkani – Drita. Sulmuesi afrikan ishte fantastik në këtë duel me dy gola të shënuar.
Trajneri i javës:
Bekim Isufi ka arritur ta fitoj derbin e kësaj jave në BKT Superligë. Trajneri gjilanas i Ballkanit e kishte përgatitur në mënyrë perfekt ekipin e tij, duke mos i lejuar Dritës që asnjëherë mos të rrezikojë. /Telegrafi/