Telegrafi

Forma e Batshuayit në tri ndeshje me BVB-në bën që largimi i Aubameyang të harrohet, Westfalenstadion ka një mbret të ri (Video)

Kampioni aktual i Anglisë, Chelsea kërkonte sulmues në afatin kalimtar të janarit.

Trajneri i Chelseat, Antonio Conte e kishte në radhët e veta një sulmues fantastik si Michy Batshuayi por nuk besonte në të.

Belgu kishte shënuar 12 gola dhe kishte bërë dy asistime me fanellën e Chelseat në të gjitha garat por këto shifra nuk e bindën Conten.

Italiani kishte kërkuar transferimin e Olivier Giroud dhe lejoi largimin e Batshuayit në drejtim të Dortmundit.

Klubi gjerman ka fituar më së shumti nga huazimi i Batshuayit në ‘Signal Iduna Park’.

Batshuayi sa ishte pjesë e Chelseat

Sulmuesi i talentuar belg ka zhvilluar tri ndeshje deri më tani me Dortmundin duke treguar se sa vlen.

24-vjeçari ka shënuar tre gola në Bundesliga në dy takime dhe ka bërë një asistim në dy fitore radhazi të Dortmundit.

E radha ishte për Atalantën ku Dortmund e mposhti ekipin italian me vështirësi 3-2.

Edhe në këtë takim shkëlqeu Batshuayi me dy gola të shënuar në fund të ndeshjes.

Dortmund që tani po mendon të fillojë negociatat me Chelsean për blerjen përfundimtare të sulmuesit.

Dy klubet në marrëveshjen e janarit nuk e kishin përfshirë opsionin e blerjes së lojtarit nga Dortmundi në kontratë.

Sigurisht që paraqitjeve të tija i gëzohen te Chelsea që kërkojnë të fitojnë sa më shumë nga shitja e tij.

Batshuayi ka kontratë me Chelsean deri në qershor të vitit 2021, ndërsa iu bashkua londinezëve nga Olympique Marseille për 39 milionë euro. /Telegrafi/