Gazetarja Valerie Hopkins, e cila është duke punuar në Ballkanin Perëndimor, i ka kushtuar një analizë gjendjes së tanishme politike në Maqedoni, përmes thumbimit të projektit ”Shkupi 2014”, njofton Telegrafi Maqedoni.
Hopkins konsideron se rregullimi estetik i kryeqytetit, kishte për qëllim inspirimin e një identiteti kombëtar më të fortë, por inspiroi një lëvizje protestuese kombëtare, kurse plani i Gruevskit nuk shkoi aq mirë, pasi që një numër në rritje e popullatës, i trajton projektet për qytetin si një shprehje e arrogancës.
Gazetarja kritikon ashpër projektin ”Shkupi 2014”, duke konsideruar se Shkupin e ka transformuar nga një qytet të zymtë, por melankolik post-jugosllav, në një qytet të monumenteve të kiçit.
Në analizën e saj, Hopkins ka përfshirë shumat marramendëse që sipas saj shkojnë deri 730 milion dollarë, ku vetëm statuja ”Heroi në kalë”, që supozohet se është Aleksandri i Madh, ka kushtuar rreth 9 milion dollarë.
Valerie Hopkins, i kushton vëmendje edhe ”Revolucionit Laraman”, protestat e së cilës kanë filluar tash e 9 javë më parë, ndërkaq ”Shkupi 2014” është bërë shënjestër e protestuesve, të cilët i kanë ”njollosur” me ngjyra të llojllojshme statujat dhe objektet e ndryshme.
Në analizën e saj për Foreign Policy, që e përcjell Telegrafi Maqedoni, Hopkins përmend krizën e identitetit dhe problemet që Maqedonia ka me fqinjët, si çështja e emrit me Greqinë, problemi me kishën ortodokse që kontestohet nga Serbia, si edhe aspekti gjuhësor, për të cilin, Bullgaria thotë se është një dialekt i gjuhës bullgare.
Hopkins nuk e lë pa përmendur edhe çështjen ndëretnike me shqiptarët, që sipas saj përbëjnë 25 deri 30% të popullatës. Ajo thekson se trashëgimia shqiptare është shumë pak e përfshirë. Përveç Nënë Terezës, gazetarja nuk e lë pa përmendur vendosjen edhe të dy apo tre statuja tjera, që ishin premtuar./Telegrafi/