Gjiganti amerikan i veturave Ford është duke zhvilluar një varg të ri ndriçimi për çatitë e veturave të tij të ardhshme, me montimin e pandërprerë që kalon përgjatë pjesës së sipërme të xhamit të përparmë dhe poshtë pjesëve anësore të veturës.
Zbuluar fillimisht nga Carbuzz, patenta e paraqitur nga Ford tek Zyra e Patentave dhe Markave të Shteteve të Bashkuara, dhe i publikuar 2 ditë më parë, përshkruan një veturë që fuqizohet nga bateria – sikurse Mustang Mach-E – i pajisur me një grup ndriçimi në formë U që shkon pothuajse rreth gjithë veturës.
Megjithatë aplikimi për markë tregtare në mënyrë specifike thotë se teknologjia e re e ndriçimit nuk është e kufizuar vetëm tek veturat elektrike, dhe shfaq mënyrën se si sistemi mund të përshtatet edhe tek veturat me çati shumë-copëshe dhe ato konvertibile, si Ford Bronco i shitur në Amerikën e Veriut, shkruan Drive, përcjell Telegrafi.
Patenta shpjegon se si pajisjet e ndriçimit mund të fiksohen drejtpërdrejt nën çati, ose si mund të jenë gjithashtu të lëvizshme.
Në fund të fundit, planet më të gjera të Fordit me sistemet e ndriçimit nuk janë bërë të qarta në patentë, megjithatë ajo ka disa rrethana në të cilat sistemi mund të përdoret.
Ndriçimi i gjithanshëm me ngjyra mund të përdoret për të treguar se kur bateria e një veture elektrike është e karikuar plotësisht, duke i treguar shoferit që të heqë veturën nga karikimi dhe t’i lirojë vendin përdoruesit tjetër. /Telegrafi/