Telegrafi

Ford Mustang Super Cobra Jet 1,800 – ‘raketa elektrike’ në kërkim të rekordit

Ford veçse e mban rekordin botëror për veturën më të shpejtë elektrike për një çerek milje (402 metrave). Në vitin 2020 kompania e çoi Mustang Cobra 1,400 në një pistë “drag” dhe pati një kohë prej 8.128 sekondave me shpejtësi prej 276.75kMh (171.97mPh).

Pavarësisht emrit “1,400”, Mustang-u në fjalë kishte 1,502 kuaj fuqi, por që Ford në fakt vendosi që kjo nuk ishte një veturë edhe aq e shpejtë.

Inxhinierët e Ford vendosën që motori me 1,502 kuaj fuqi nuk ishte aq monstruoz, dhe u vunë në kërkim për më shumë fuqi. Ata po rikthehen me një “raketë” të ripërpunuar me 1,800 kuaj fuqi, veturë të cilën e quajtën Mustang super Cobra Jet 1,800, raporton Arena EV, transmeton Telegrafi.

Dy motorët elektrik sipas kompanisë zhvillojnë së paku 1,800 kuaj fuqi. Inverterët dhe motorët në fakt janë të njëjtë si konfigurimi i mëparshëm, por transmisioni është krejtësisht i ri. Pako e baterive është gjithashtu e re, dhe peshon shumë më pak.

Amortizatori i pasmë është përmirësuar gjithashtu në mënyrë që të përballojë shpejtësinë e rritur, dhe ndryshimet kompletohen nga një set i gomave të pasme më të mëdha për më tepër kontroll.

Mark Rushbrook, drejtori global i Ford Performance, pretendon se vetëm ndryshimet e baterisë kanë eliminuar shumë kilogram në peshën totale. Më pak peshë përkthehet në më tepër shpejtësi, goma më të mëdha përkthehen në më shumë tërheqje dhe një transmision i ri përkthehet në humbje më të pakta të fuqisë, dhe krejt këto ndryshime së bashku me fuqinë më të madhe, janë dizajnuar për të thyer rekorde. /Telegrafi/