Telegrafi

Forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare, ministrja e Jashtme e Finlandës viziton Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen do të qëndroj sot për vizitë në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite Valtonen do të ketë takim me drejtues të institucioneve të Kosovës.

Sipas njoftimit, ajo fillimisht do të pritet nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ku pas takimit do të mbahet konferenca për media.

Ndërkaq në orën 15:00, Valtonen do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti.

MPJ e Finlandës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se qëllimi i vizitës është forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me partnerët e Finlandës në Ballkanin Perëndimor.

“Finlanda mbështet aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimeve do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, zgjerimi i BE-së, stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor, situata në Ukrainë dhe çështjet aktuale që lidhen me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). /Telegrafi/