Telegrafi

Forcimi i lekut vjen nga turizmi, Sejko: Banka e Shqipërisë ndërhynë nëse dëmtohet funksionimi i tregut

Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë në kursin e këmbimit të monedhës vendase, për sa kohë që luhatjet në kurs nuk dëmtojnë funksionimin e tregut.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi për gazetarët se forcimi i lekut ndodh historikisht gjatë sezonit veror.

“Kursi i këmbimit ka ardhur nga përmirësime strukturore. Është një trend që ka ardhur si përmirësim i bilancit të pagesave, burimet i kemi përmendur, janë remitancat, turizmi. Ne jemi në pikun e sezonit dhe historikisht është vënë re një lëvizje e tillë. Banka e Shqipërisë e ka të përcaktuar me ligj kur ndërhyn në kursin e këmbimit, për efekt të objektivave tonë ligjorë. Pra këto janë elementë që i kemi respektuar, kursi i këmbimit monitorohet me kujdes”.

Guvernatori sqaroi dhe se cilat janë rastet kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mund të ndërhyjë.

“Nëse zgjerohen më tej këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor dhe objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit financiar. Nëse do të konstatohen këto premisa Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor në përmbushje të mandatit të saj ligjor”, theksoi Sejko.

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë normën e interesit. Guvernatori u shpreh se ekonomia shqiptare pritet të rritet, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/