Telegrafi

Forcat Speciale të Policisë në Mushtisht, 10 minuta afat protestuesve të largohen (Foto)

Përveç forcave speciale të Policisë Rajonale të Prizrenit që ndërhynë më herët, Forcat Speciale nga Prishtina kanë arritur në Mushtisht.

Policia kërkoi që protestuesit në Mushtisht të shpërndahen për dhjetë minuta.

Drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit Nexhmedin Krasniqi u dha afat protestuesve që për 10 minuta ta lirojnë rrugën në pjesën ku ata ende po qëndrojnë, përndryshe paralajmëroi ndërhyrjen për ta siguruar lëvizjen e lirë.

Krasniqi pas këtij urdhri pati një debat me banorët e Mushtishtit të cilët i kërkuan që të kontrollohet nëse mes serbëve që kanë ardhur ka persona të cilët janë në listën e personave të punësuar në policinë, ose ushtrinë serbe.

Policia u ka premtuar se kjo është vetëm një vizitë e shkurtër, mirëpo banorët e këtij fshati nuk dëshirojnë të dëgjojnë.

Qëllimi i policisë sipas këtyre burimeve është që protestuesit të largohen edhe nga qendra e fshatit, pasi atypari pritet të kalojnë autobusët që do të sjellin ish-banorët serbë të Mushtishtit në kishë dhe në fshat.

Edhe autobusët me këta banorë i janë afruar fshatit.