Policia kufitare në Novska në bashkëpunim me shërbime të tjera, kryen me sukses një operacion për shpëtimin e 28 shtetasve të huaj nga një zonë e përmbytur pyjore.
Siç njoftojnë nga Drejtoria Policore e Sisak-Moslavinës, policia ka marrë një lajmërim se në një zonë të paarritshme të vërshimeve ka shtetas të huaj, ndaj ka organizuar shpëtimin e tyre. Në ndihmë janë thirrur anëtarët e ATJ Luçko, të cilët kanë kontrolluar terrenin nga ajri me helikopter për të lokalizuar personat.
Pas gjetjes së tyre, ata kanë zbritur mes shtetasve të huaj dhe kanë nisur operacionin e shpëtimit me gomonen e Njësisë së Ndërhyrjes së Policisë.
U angazhuan edhe pjesëtarë të HGSS, të cilët së bashku me efektivët e policisë, pas disa orësh punë, transportuan në tokë të thatë dhe të sigurt personat nga zona e përmbytur.
Atyre iu dha ndihma mjekësore dhe u dërguan në ambientet zyrtare të komisariatit kompetent, ku u shërbyen me pije dhe ushqime të ngrohta.
Ndryshe, index.hr ka raportuar se bëhet fjalë për 28 shtetas të huaj, gjegjësisht për dy gra, një fëmijë dhe 25 burra, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Kroaci. /Telegrafi/