Site icon Telegrafi

Forcat serbe ia këputën këmbën me motosharrë, Bajram Nebihu thotë se shteti nuk po e ndihmon                       

Ishte kohë lufte kur Bajram Nebihu nga fshati Domanek i Drenasit kishte shkelur në një minë, e ku si pasojë e kësaj, i ishte prerë këmba në një spital i cili kishe qenë i mbushur me forca serbe. Bajrami, i cili tregon se 3 djemtë e tij ishin luftëtarë të UÇK-së, thotë se pavarësisht kontributit të tyre në luftë, shteti i Kosovës asnjëherë nuk u ka ofruar ndihmë, madje as për nevojat e tij pasi që ka mbetur i palëvizshëm.

22 vite më parë, Bajram Nebihut nga fshati Domanek i Drenasit, pasi kishte shkelur në një minë i ishte prerë këmba e majtë nga forcat serbe.

Në mes të emocioneve e dhimbjes, Bajrami tregon torturat që forcat serbe kanë ushtruar ndaj tij.

“Dola në fshat për të kthyer një lopë që ishte futur në misër. Atje rashë në minë. Melihate Hoxha që tash është police e Kosovës ma ka dhënë ndihmën e parë. Me 22 qershor ka ardhur i ashtuquajturi specialist që ishte serb dhe ma ka këputur këmbën me sharrë. I jam lutur të ma presë vetëm këmbën dhe të mos më bëj diçka tjetër. Në atë moment më janë hapur pak sytë por më pas dy javë ditë nuk kam ditur asgjë”, tha për RTV Dukagjinin, Bajram Nebihu, përcjell Telegrafi.

Pavarësisht se ka mbetur në karrocë, ai thotë se deri më tani nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti.

“Kam vuajtur shumë. Kam pasur gjendje të vështirë. Nuk kam marrë ndihma nga askush. As nga komuna e nga askush. Askush nuk na ka vizituar as për hir që kemi qenë luftëtarë. Na kanë lënë sokakëve”, tregon më tej Bajram Nebihu invalid civil i luftës.

I zhgënjyer me shtetin shprehet edhe djali i tij, Arben Nebihu, i cili ishte njëherësh edhe ushtar i UÇK-së.

“Jemi dy vëllezër, të dy të plagosur. Në mesin e atyre që janë plagosur, shokët e mi nuk janë më. Është keq të them, por më mirë të isha edhe unë në mesin e tyre”, deklaron ish-luftëtari i UÇK-së Arben Nebihu.

Ndryshe, nga lufta e fundit në vendin tonë, llogaritet se janë vrarë rreth 13 mijë persona, ndërsa janë mbi 400 masakra të regjistruara, që janë bërë nga forcat serbe. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version