Forcat irakiane kanë hyrë më thellë në qytetin e Mosulit dhe janë pranë rikthimit të tij nga militantët e Shtetit Islamik.
“Do ta përfundojmë operacionin brenda disa ditësh. Fundi do të jetë shumë shpejt”, tha komandanti i ushtrisë, Abdulwahab al-Saadim.
Një tjetër komandant, Salam al-Obeidi, tha se 65 deri në 70 për qind e qytetit të vjetër të Mosulit është çliruar.
Shteti Islamik ka marrë kontrollin e Mosulit, qytetit të dytë më të madh të Irakut, në verën e vitit 2014, ndërsa operacioni për rikthimin e tij ka nisur në tetor të vitit të kaluar.
Në këta tetë muaj luftime, pjesa më e madhe e Qytetit të Vjetër të Mosulit është shkatërruar, përfshirë edhe xhaminë Grand al-Nuri, e vjetër 850 vjet.
Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, tha se forcat e qeverisë janë afër shpalljes së fitores përfundimtare mbi bandat e Shtetit Islamik.