Telegrafi

Forcat Federale në SHBA arrestojnë pronarin e BreachForums – dyshohet për lidhjet me sulmet kibernetike ndaj vetë FBI-së

FBI ka arrestuar personin që dyshohet se është përgjegjës për komunitetin e hakerëve në internet BreachForums, siç është raportuar më herët nga “Krebs on Security and Bleeping Computer”.

Conor Brian Fitzpatrick, i njohur gjithashtu në internet si “Pompompurin”, u arrestua në shtëpinë e tij në Nju Jork të mërkurën dhe u akuzua për komplot për të kryer mashtrime me pajisjen e qasjes, sipas dy dosjesh gjyqësore.

Në një deklaratë të betuar, agjenti i FBI-së i përfshirë në këtë rast pretendon se Fitzpatrick pranoi se zotëronte BreachForums në kohën e arrestimit të tij dhe e identifikoi veten si “Pompompurin”.

“Pompompurin” krijoi BreachForums pasi FBI kapi RaidForums, një faqe e ngjashme hakerimi që gjithashtu shiste informacione të rrjedhura, raporton The Verge, përcjell Telegrafi.

Hakeri është i implikuar në një numër sulmesh, shumica e të cilave si cak e kishin FBI-në.

Në vitin 2021, “Pompompurin” mori përgjegjësinë për një hak që dërgoi mijëra paralajmërime të rreme të sigurisë kibernetike nga adresa e emailit të FBI-së, dhe gjithashtu lidhet me shkeljen e Infragard, programi i shkëmbimit të informacionit të FBI-së që synon të rrisë ndërgjegjësimin për kërcënimet fizike dhe dixhitale ndaj organizatat qeveritare dhe kompanitë e pavarura.

Për më tepër, Bleeping Computer vëren se ”Pompompurin” është i lidhur me sulmin e “Robinhood” të vitit 2021, që ekspozoi informacionin e miliona përdoruesve të tij, si dhe rrjedhjen e emërtimeve të përdoruesve të Twitter, e gjithashtu edhe adresave të postës elektronike, sulm ky i cili ndodhi në nëntor të vitit 2022.

Një postim i fundit në BreachForums tregon se faqja do të vazhdojë të funksionojë nën pronësi të re – të paktën tani për tani. Forumi i hakerave është përfshirë tashmë në sulmet e fundit kibernetike, duke përfshirë një sulm të DC Health Link, një treg i kujdesit shëndetësor i përdorur nga shumë politikanë amerikanë dhe anëtarë të stafit të qeverisë.

Ky forum u akuzua gjithashtu edhe për sulmin ndaj kompanisë australiane të telekomunikacionit Optus. Sipas Bloomberg, Fitzpatrick u lirua gjatë së enjtes me një garanci që kapë vlerën e 300,000 dollarëve dhe do të paraqitet në një gjykatë të Virxhinias më 24 mars. /Telegrafi/