Telegrafi

Forcat e mbështetura nga SHBA-ja depërtuan në një mur rreth Rakës

Forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara në Siri kanë hapur vrima në një mur rreth Qytetit të Vjetër në Raka, derisa po përpiqen ta rimarrin kontrollin e këtij qyteti nga militantët e grupit esktremist, Shteti Islamik, ka njoftuar mbrëmë vonë Komanda qendrore e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

“Forcat e koalicionit i kanë mbështetur Forcat Demokratike Siriane gjatë avancimit të tyre në pjesën më të mbrojtur të qytetit Raka, duke i hapur dy kalimenë murin Rafiqah, që e rrethon Qytetin e Vjetër”, ka thënë komanda amerikane dhe ka shtuar se Forcat Demokratike Siriane ishin ballafaquar me rezistencë të fuqishme në këtë mur nga luftëtarët e Shtetit Islamik, të cilët e kanë përdorë atë si pozicion luftarak dhe kishin instaluar mina dhe pajisje të improvizuara eksploduese kundër forcave kryengritëse që po avanconin.

“Këto pjesë të shënjestruara ishin seksione 25-metërshe dhe do të ndihmojnë në mbrojtjen e pjesës së mbetur të murit prej gjithsejt 2,500 metrave”, ka njoftuar kjo komandë. /REL/