Site icon Telegrafi

Forcat e armatosura gjermane duhet të jenë më të pajisurat në Evropë, thotë Scholz

Forcat e armatosura gjermane duhet të bëhen “më të pajisurat” e Evropës, me vendin të gatshëm të marrë përsipër një “përgjegjësi udhëheqëse” në garantimin e sigurisë së Evropës, tha të premten kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Si vendi më i populluar me fuqinë më të madhe ekonomike dhe si një vend në mes të kontinentit, ushtria jonë duhet të bëhet gur themeli i mbrojtjes konvencionale në Evropë, forca më e pajisur në Evropë”, tha ai.

“Ne po e bëjmë të qartë bindshëm: Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësinë udhëheqëse për sigurinë e kontinentit tonë”, vazhdoi i pari i qeverisë gjermane.

Scholz tha se presidenti rus, Vladimir Putin aktualisht përbën “kërcënimin më të madh” për aleancën e NATO-s, raporton cnn.

Kancelari gjerman tha se forcat e armatosura gjermane kishin marrë për një kohë të gjatë role të tjera si “shpimi i puseve, sigurimi i ndihmës humanitare, frenimi i përmbytjeve, gjithashtu ndihma me vaksinimet gjatë pandemisë”.

“Por ky nuk është misioni juaj thelbësor,” tha ai, duke shtuar “detyra thelbësore e Bundeswehrit [forcave të armatosura gjermane] është mbrojtja e lirisë në Evropë”.

Scholz tha gjithashtu se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s, në mes të luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.

“Ne, evropianët, megjithatë duhet të marrim shumë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s”, tha Scholz.

Ne do të duhet të mësohemi me faktin se Rusia e Putinit do ta përkufizojë veten si një kundërshtar i SHBA-së, i NATO-s dhe BE-së në të ardhmen e parashikueshme, shtoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version