Site icon Telegrafi

Forcat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak

Forcat amerikane do të qëndrojnë në Irak, për sa kohë që kjo do të jetë e nevojshme. Kështu deklaroi të dielën koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Koloneli ushtarak Sean Ryan, zëdhënës i koalicionit në luftën kundër DEASH-it, në një konferencë për mediat në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, tha se trupat ushtarake amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak, për aq kohë sa SHBA-të mendojnë se kjo është e nevojshme.

“Arsyeja kryesore është se pas mposhtjes ushtarake të ISIS-it (DEASH), fillon përpjekja për stabilizim për çka nevojitet prania jonë, kështu që kjo është njëra nga arsyet e qëndrimit tonë”, tha ai.

Kohë më parë, DEASH-i u dëbua nga Iraku përmes operacioneve të përbashkëta të forcave irakiane dhe atyre të koalicionit ushtarak të udhëhequr nga SHBA-të, pasi paraprakisht në vitin 2014, pushtoi pjesën më të madhe të territorit të shtetit.

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të u themelua në vitin 2014, pas thirrjeve të ish-presidentit amerikan Barak Obama, për të ndihmuar qeverinë irakiane në luftën kundër DEASH-it. /Telegrafi/

Exit mobile version