Site icon Telegrafi

Forca e ndryshimit

Ja ku po takohemi sërish në mbyllje të një fushate të lodhshme, por të qetë. Së paku për fushatën e AKR-së, këtë mund ta them me krenari. Ne jemi parti e qytetëruar e krejt Kosovës!

Fushata jonë ishte e qetë ashtu siç ka qenë gjithë politika jonë prej themelimit të partisë në 2007. Ne jemi parti europiane!

Fushata jonë nuk ishte arrogante. Fushata jonë nuk ishte e kushtueshme, posaqë Kosova është vendi më i varfër i Europës. Ne jemi parti e njerëzve të Kosovës

Fushata jonë ishte fushata e mesazheve të ndërtimit. Të shpresës që lind nga ndërtimi. i Kosovës së re. Ne jemi parti krijuesish!

Fushata jonë ishte fushata e durimit. Ne kemi qenë të durueshëm që nga themelimi. Ne nuk kemi patur uri për pushtetin megjithëse mund ta fitonim atë që në 2007. Ne ishim të ndërgjegjshëm se sfidat e Kosovës duhet t’i përballte dikush tjetër që vinte nga lufta dhe ne mbështetëm jo ata, por Kosovën. Ne bëmë gjithçka për Kosovën dhe jo për dikënd që është në qeverisje ashtu kështu prej 10 vjetësh. Tash është radha jonë!

Tash e tutje, populli i Kosovës nuk duron më të qeveriset keq! 2009 do jetë vit i kthesës së madhe. Së bashku me ju, prej votës suaj ne do të fitojmë komunat kryesore të Kosovës multietnike. Ne do t’i bëjmë ato shembull të qeverisjes për të ardhur në pushtet në 2011.
Ne jemi parti e fitores së sigurt!

Në këtë fazë që ka hyrë Kosova, ata që janë në qeverisje s’kanë ç’ti thonë më Kosovës. Nuk kanë se çfarë t’i kërkojnë më Kosovës dhe kosovarëve. Askush nuk mund të thotë se nuk ju dha shansi i qeverisjes. Ju dha dhe e humbën. U përbaltën me veset e pushtetit. Ne jemi të pastër, dhe sot është dita jonë.

Koalicioni AKR- LDD është forca e parë POLITIKE në Prishtinë për organizim, anëtarësi dhe rezultate. Sikur të gjithë anëtarësia jonë të dalë në votime bashkë me familjarët e vet atëherë ne e fitojmë Prishtinën! Mos e humbni këtë rast. Dilni të gjithë në votime!

Ne nuk duam pushtetin të vetëm. Ne krijuam aleancë me LDD-në, parti e pasuesve të denjë të Ibrahim Rugovës, babait të pavarësisë sonë. Ne kemi në radhët tona pjesëtarë të epopesë së Adem Jasharit, Pajazitëve, Agim Ramadanit, Haradinajve dhe shumë të tjerëve..

Ne ftojmë që të na bashkohen në sfidat tona të qeverisjes, më të mirët, nga cilado parti qoftë. Nga LDK-ja, nga PDK-ja, nga AAK-ja. Ne nuk jemi xhelozë, ne s’kemi frikë nga konkurrenca! Ne nuk kemi lista të zeza apo të bardha për bashkëpunimin në të mirë të Kosovës!

Ne jemi parti e lirisë! E njerëzve të lirë!

Në rrugën tonë drejt fitores, dikush është munduar të na ndalë. Me pengesa qesharake. Me bllokime sallash, sheshesh,me grisje posterash, shkëputje të energjisë elektrike,me kërcënime, por askush nuk mund të ndalë energjinë e fitores. Energjinë e të rinjve që kam gjetur kudo nëpër të gjithë Kosovën. Që anëtarësohen përditë në AKR.

AKR është parti e të rinjve! Kandidatët tanë në gjithë Kosovën janë të rinj ose miq të të rinjve. Shikoni Vegim Gashin, një pedagog, një ekspert i teknologjive të reja, me pasione prej të riu, dhe plot projekte inteligjente për rininë e kryeqytetit. Kryeqytetet janë themeluar mbi bazën e ideve, dhe Vegim Gashi ka ide të reja. Që Prishtina, kryeqyteti i shtetit më të ri në botë, të ringjallet! Që Prishtina të rithemelohet!
Mimoza Kusari ka ide të reja. Që Gjakova e elitës, e kulturës të rifitojë shkëlqimin!

Nexhmedin Spahiu është plot ide për Mitrovicën e së nesërmes! Ajo do të jetë e bashkuar! Bashkimi i saj vjen vetëm prej projekteve ekonomike! Omer Daku, Rexhep Oruci,Ramadan Basha, Afrim Lokaj, e shumë emra të tjerë të ndritshëm do të punojnë për qytetet e rinj të Kosovës së ardhmes!Unë e di që rinia është me ne, por dua t’ju drejtohem më të rriturve. Ne kosovarët e duam familjen. I respektojmë më të mëdhenjtë në moshë. Dhe zakonisht ne votojmë si na thotë i pari i shtëpisë.

Por unë do ju kisha lutur ju më të rriturit, të paktën për një herë të dëgjoni më të rinjtë. Votoni për atë që do të votojnë bijtë tuaj. Vota juaj nuk do t’ju shkojë dëm. Ajo do të jetë vota e ndryshimit!

Bashkohuni ndryshimit dhe jo vazhdimit në krizë, në lëngatë!
Bashkohuni me ne për hir të bijve tuaj që duan ndryshimin!
Votoni AKR-në!

Mos ju shmangni votimit! Nuk ka detyrë më të shenjtë për atdheun sesa vota sot! Dikur Presidenti amerikan Kenedi i drejtohej popullit me këto fjalë që do të mbeten të paharruara: Mos pyet se çfarë mund të bëjë atdheu për ju, por pyet çfarë mund të bëni ju për atdheun! Po Ju për atdheun çfarë duhet të bëni? Duhet të votoni! Për Kosovën e re!

Të dashur bashkëqytetarët e mi,

Kushdo që nuk ka ndërmend të votojë në 15 nëntor, le të më shohë në sy sot dhe të më dëgjojë. Nuk do flas për vazhdimin, por për ndryshimin.
Ti bacë që unë takova në Prizren dhe më the se ke humbur besimin tek këta politikanë që kemi;

ti vëlla prej UCK-së, që dikush të gënjeu në zgjedhjet e fundit dhe ke mbetur ashtu pa punë dhe pa shpresë;

ti vëlla i ardhur prej mërgatës, që të ka humbur shpresa prej premtimeve të rrejshme;

ti nënë që në 2007 t’u duk boll e ngatërruar të votoje me disa fletë votimi të mëdha dhe me zor mbajte rradhën me votu në të ftohtë,

dëgjomëni vetëm pak: Në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane, pjesëmarrja ishte më e madhja e 20 vjetëve të fundit. Amerikanët e donin ndryshimin. Jo vazhdimin. Po ju a doni ta ndryshoni Kosovën? A doni të mos ju gënjejnë politikanët e premtimeve të mëdha? Kosova do të vazhdojë me ta, nëse ju nuk votoni.

A e dini se të votosh sot është më e lehtë se në 2007? Bëjeni këtë hap atëherë, luftoni për ndryshimin dhe mos rrini duarkryq para vazhdimit!
A doni të vini një gur në themelet e Kosovës së re që ka vetëm një vit jetë si e pavarur? A doni të vini vulën tuaj në fletët e para të historisë së shtetit të ri të Kosovës? A doni më shumë punësim, shkolla më të mira, rrugë, jetë normale? Nëse nuk votoni, domethënë se doni vazhdimin dhe jo ndryshimin!

Kujt do ja lemë Kosovën? Një qeveri e zgjedhur me pak vota nuk është legjitime. Nëse askush nuk del në votime, nuk do të kemi qeverisje. Do të kemi anarki. Unë e di që ju nuk e doni anarkinë. Ju doni ndryshimin dhe jo vazhdimin!.
Nëse nuk e doni qeverinë, politikën e saj, ndërrojeni atë. Votoni për më të mirët, pra votoni për ndryshimin, por jo të mos votoni fare, domethënë të lejoni vazhdimin!

Ju lutem si vëlla, si prind, si shok, si mik. Bëjeni tuajën. Mundeni të ftohtin. Hidheni votën. Bota po sheh nga ne. Nga Kosova e re. Më shumë vota, do të thotë të jemi më krenarë në sytë e botës. Demokracia nuk funksionon dot pa votën e demokratëve. Kosova do të jetë më e fortë me votën tuaj. Votoni ndryshimin, jo vazhdimin.

Mirupafshim në 16 nëntor për të festuar fitoren. Dhe për t’ju përveshur punëve për Kosovën e re që do të jetë kantier i madh i zhvillimit ekonomik!

(Autori është kryetar i AKR-së)

Exit mobile version