Kompanitë gjigante publike kanë patur performancë pozitive vitin e kaluar, pavarësisht trazirave politike dhe pasigurive në tregje. Lista për 2017-ën e Forbes, e quajtur “Global 2000”, ka shtuar vlerë nga lista e vitit të kaluar, me shitjet, fitimet, aktivet dhe vlerën në treg të kompanive që është zgjeruar.
Pavarësisht të dhënave mbi ekonominë, kompanitë kineze dhe të Shteteve të Bashkuara, kanë vazhduar të dominojnë 10-shen kryesore, me gjigantët financiar si Banka Industriale dhe Tregtare e Kinës në vend të parë, dhe JP Morgan në vend të katërt.
Lista e Forbes bazohet në tregues si; të ardhurat, fitimet, aktivet dhe vlera në treg. Në 2017-ën, janë përfshirë kompani publike nga 58 vende, që kanë një total të të ardhurave prej 35.3 trilionë dollarë, fitimet në 2.5 trilionë, 169 trilionë aktive dhe një vlerë tregu të kombinuar prej 48.8 trilionë dollarë.
Të gjithë treguesit janë rritur nga viti 2016, me vlerën totale në treg që është shtuar me 10%. Kompanitë financiare kanë zënë dhjetëshen e parë, duke lënë Apple në vendin e 9, ndjekur nga Toyota.
Te lista e kompanive europiane, Royal Dutch Shell ka zënë vendin e parë, ndërkohë që fitimi i kompanisë është thuajse dyfishuar në vitin që kaloi.
Prezenca e kompanive gjermane ka qenë më e forta, me Allianz që zuri vendin e dytë. Kompania e sigurimeve ka patur një fitim prej 7.6 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Banka më e madhe franceze, BNP Paribas zuri vendin e tretë ndër kompanitë europiane. HSBC ka humbur plotë 34 vende në listën globale, prej negociatave të Brexit. /Telegrafi/