Telegrafi

Forbes publikon listën e femrave më të fuqishme në botë në vitin 2023, në krye të saj gjendet Ursula von der Leyen

Si çdo vit në dhjetor, revista Forbes publikoi listën e femrave më me ndikim në vitin 2023, ku përfshiheshin emra të shumtë nga bota e politikës, ekonomisë dhe shoubizit.

“Si gjithmonë, lista në vitin 2023 u përcaktua nga katër tregues kryesorë. Paraja, media, ndikimi dhe sfera e ndikimit. Për liderët politikë, GDP-ja dhe popullsia u morën parasysh”, u tha nga Forbes.

Lista e grave më të fuqishme të këtij viti, kryesohet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, transmeton Telegrafi.

“Ajo u emërua Presidente e KE-së në korrik 2019. Ajo është gruaja e parë që mban atë post dhe është përgjegjëse për ligjet që prekin më shumë se 450 milionë evropianë”, thuhet në njoftim.

Interesant është se presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, doli në vendin e dytë.

“Më 1 nëntor 2019, ajo u bë gruaja e parë në krye të Bankës Qendrore Evropiane. Si drejtuese e politikës monetare evropiane, Lagarde përballet me sfida të shumta”, u tha ndër tjera ng a kjo revistë.

Vendin e tretë në listë e zuri zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris dhe e katërta kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

“Rritja e Melonit në pushtet ishte e pabesueshme dhe ndikimi i saj është i dukshëm si në Itali ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Pozicioni i saj në renditje dëshmon për mbështetjen e saj politike dhe aftësinë për të lundruar në botën komplekse të politikës globale”, thuhet në analizë. /Telegrafi/