Site icon Telegrafi

Football Leaks publikon kontratat marramendëse të Carvajalit dhe Sahinit

Ueb faqja që u bë e famshme, Football Leaks, ka vazhduar publikimin e kontratave të mbajtura sekret deri tani nga klubet e lojtarët.

Këtë radhë ka publikuar kontratat e dy futbollistëve të Realit, nga të cilët vetëm njëri është në Madrid.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Dani Carvajal, i cili është kthyer në Madrid në sezonin 2013/2014 dhe atëherë firmosi për 1.7 milionë euro bruto në sezon, por kontrata e tij do të rritet në mënyrë progresive dhe në vitin e fundit të kontratës, në 2019/2020, paga do t’i shkojë në 2.5 milionë euro.

Nëse paga është modeste, për standardet e Realit, klauzola për prishjen e kontratës pa miratimin e klubit është e frikshme: plot 350 milionë euro.

Më befasuese është kontrata e një ish-lojtari të Realit, gjermano-turkut Nuri Sahin, i blerë për 10 milionë euro nga Dortmundi në verën e vitit 2011.

Mesfushori, i cili qëndroi vetëm një sezon në Madrid, duke luajtur vetëm 128 minuta në La Liga, firmosi një kontratë të pabesueshme: 5.454.545 euro bruto për sezon, por me bonuse mjaft fitimprurëse.

Nëse Sahin do të luante 26 ndeshje në sezon, do të fitonte edhe 181 mijë euro; nëse luante 27 ndeshje, 363 mijë; 28 ndeshje, 545 mijë euro; 29 ndeshje 727 mijë euro dhe nëse kapte 30 ndeshjet në sezon, do të merrte 909 mijë euro bonus.

Gjithashtu, nëse Shahin përfshihej në listën e FIFA World Player, paga e tij do të rritej automatikisht në 7.2 milionë euro, ndërsa klauzola për prishje të njëanshme të kontratës u vendos 121 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version