Telegrafi

Fonseca i lumtur që Roma u rikthye te fitoret: Tani mendojmë për Ligën e Evropës

Paulo Fonseca. (Photo by Gabriele Maltinti/Getty Images)

Roma është rikthyer te fitoret në kampionatin italian Serie A, derisa ka mposhtur Brescian 3-0.

Giallorosët kishin pësuar humbje nga Parma javë më parë dhe me Brescian dhuruan spektakël.

Megjithatë për tu zhbllokuar skuadra u desh të pritej pjesa e dytë ku pastaj Roma shkëlqeu.

“Në pjesën e parë Brescia na vuri në vështirësi pasi mbrohej mirë, por goli i hershëm në pjesën e dytë na çliroi”, tha Fonseca.

Roma. (Photo by Paolo Bruno/Getty Images)

“Jam i lumtur që futbollistët rikthyen besimin dhe morën një fitore të madhe, ndaj një kundërshtari të vështirë”, u shpreh portugezi.

Roma tani do të luaj të enjten në Ligën e Evropës në udhëtim te Istanbul Basaksehir, ku vetëm fitorja do t’i mbante në garë për të vazhduar tutje.

“Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme dhe tani vëmendja jonë është tek ajo sfidë. Na duhet fitorja, pasi në të kundërtën do të rrezikonim shumë”, përfundoi Fonseca. /Telegrafi/