Deklarata e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj ku tha se nuk po e kupton se ku e kanë hallin disa zyrtarë të PDK-së, që po kundërshtojnë grumbullimin e mjeteve në Fondin e Sigurisë, ka nxitur reagimin e deputetes Ganimete Musliu.
Musliu përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se Kosova është shtet e jo organizatë joqeveritare, duke thënë se disa eksponentë të AAK-së dikur gabuan rëndë kur iu bashkuan Albin Kurtit në degjenerimin e Parlamentit.
“Disa eksponent të AAK-së patën gabuar rënd kur iu bashkuan Albin Kurtit me filikaqa në degjenerim të Parlamentit, bëjnë mirë mos t’i bashkohen edhe në degjenerim të ushtrisë së Kosovës. Kosova është shtet e jo OJQ. Financimi i Ushtrisë duhet të mbështet në ligj e jo në lëmosh. E duam ushtrinë me standarde të NATO-s. Stop eksperimenteve me ushtrinë!”, ka shkruar Musliu.
Haradinaj dje deklaroi se nuk po e kupton hallin e eksponentëve të PDK-së, duke pyetur këta të fundit se “A po iu pengon forcimi i ushtrisë, a po iu dhimbsen qytetarët që janë të gatshëm ta ndihmojnë ushtrinë e tyre, apo e kanë problemin me Albin Kurtin?!”
Haradinaj dhe partia e tij që nga fillimi janë përkrahësit më të mëdhenj të Fondit të Sigurisë të krijuar nga Qeveria e Kosovës.
Më 1 mars të këtij viti kryeministri Kurti, ka njoftuar se ka themeluar Fondin e Sigurisë, duke ftuar qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.
Fondi do të menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe mjetet e grumbulluara do të përdoren për mbështetje të prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm bazuar në vlerësimin e ekzekutivit. /Telegrafi/