Telegrafi

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore: Rion Gashi nuk ka aplikuar për shërbimin jashtë vendit

Foto: Ilustrim

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në kuadër të të cilit është zyra për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), ka bërë të ditur se Rion Gashit nuk rezulton të ketë aplikuar për shërimin e tij jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Nga Klinika përkatëse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (Klinika e Hematologjisë) është konfirmuar se dokumenti është i falsifikuar dhe “ne si Institucion kemi proceduar lëndën tek organet kompetente, andaj ata janë duke u marr me rastin në fjalë”.

Në njoftim thuhet se gjithashtu, profatura e paraqitur në media për shumën financiare të kërkuar për rastin në fjalë, është konstatuar dhe verifikuar nga institucioni/spitali përkatës në Turqi se është falsifikuar po ashtu.

Më tej bëhet e ditur se rastet e diagnostikuara me sëmundje të tilla për pacientët deri në moshën 18 vjeç, trajtohen sipas U.A. 03/2017 për TMJIShP, dhe mund të mbështeten me shumën deri 160,000.00 euro.

Ndryshe, mediat kishin raportuar se i mituri Rion Gashi vuan nga një sëmundje dhe ka nevojë për shërim jashtë vendit. Ky raportim kishte ardhur pas paraqitjes së rastit nga familjarët e tij, por rast ky që ka dal të jetë i pavërtetë.

Institucionet shëndetësore, duke përfshirë edhe atë turk ku thuhej se do të dërgohej për shërim ka reaguar duke e quajtur të pavërtetë rastin.

Më pas, reagoi edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në kuadër të të cilit është zyra për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), ka bërë të ditur se rasti i Rion Gashi nuk rezulton të ketë aplikuar për shërimin e tij jashtë institucioneve shëndetësore publike. /Telegrafi/