Fondi për Sigurim Shëndetësor në Maqedoni (FSSHM) vitin 2017 e fillon me buxhetin më të madh historik të institucionit, i cili arrin vlerën prej 26 miliardë denarë. Ky buxhet është për një miliardë e 370 milionë denarë më i lartë se buxheti në fillim të vitit 2016, respektivisht rritje për 5,4%. Këtë sot e tregoi në konferencë për shtyp drejtori i FSSHM-së, Sasho Stefanovski, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai potencoi se buxheti prej rreth 27 miliardë denarë është dyfish më i lartë në krahasim me fillimin e vitit 2000, atëherë kur u formua fondi i cili posedonte 12,5 miliardë denarë.
Ai gjithashtu theksoi se FSSHM do të vazhdojë me praktikën e ndarjes transparente të buxhetit, dhe për këtë shkak gjatë dy muajve të fundit, tha se kanë mbajtur negociata me të gjitha institucionet publike shëndetësore dhe në mënyrë metodologjike e kanë ndarë buxhetin për vitin 2017./Telegrafi/