Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik i quajti si të pavërteta akuzat e sotshme të OBRM-PDUKM-së se janë ndarë mjete për firmat që janë në procedurë të mbylljes tek Regjistri Qendror.
“Sipas rregullave për aplikim për përkrahje financiare nga Fondi, të gjithë aplikuesit janë të obliguar të dërgojnë vërtetim për gjendjen aktuale në Regjistrin Qendror, jo më e vjetër se një vit. Këtë vërtetim, me status subjekt “aktiv” kanë dorëzuar të dy kompanitë “Mobidonia” dhe “Omega Reasearch”, thuhet në demantin e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga Fondi sqarojnë se para nënshkrimit të marrëveshjes për përkrahje financiare, veç dokumenteve tjera kërkohet edhe vërtetim nga Regjistri Qendror se nuk është hapur procedurë falimentuese apo mbyllje dhe nga të dy kompanitë e përmendura kanë dorëzuar dokumente të këtilla.
“Fondi ashtu sikur deri tash, do të mbes e hapur për të gjithë pyetjet, komentet dhe propozimet në drejtimin e realizimit të qëllimeve tona dhe programeve. Me këtë qasje, me argumente dhe të vërtetë do të kundërshtojmë të gjitha përpjekjet, përmes fushatës politike ditore, të diskreditohen mbi 70 firma të vendit që përgatitën dhe realizojnë projekte investuese në ekonomi”, thonë nga Fondi./Telegrafi/