Site icon Telegrafi

Fondi për Garanci Kreditore lehtësim për biznese (Video)

Themelimi i Fondit për Garanci Kreditore që kap shumën rreth 18 milionë euro, po cilësohet si ndihmesë e madhe për bizneset të cilat kanë pasur telashe për të marrë kredi në bankat që operojnë në Kosovë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndarë tre milionë euro për këtë fond për periudhën 2015-2017, i cili llogaritet se në gjashtë vitet e para të rrisë mundësinë për kredi të reja në rreth 400 milionë euro, me të cilat besohet se mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune.

Vjollca Dibra, këshilltare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në një përgjigje për Tribuna Channel, ka thënë se ky fond pritet të ketë ndikim në përmirësimin e qasjes në financa për bizneset.

Ajo ka shtuar se ky fond do të mbulojë 50 për qind të kolateralit dhe kjo do t’i bëjë bankat me komode në aprovimin e kredive për bizneset.

Profesori i Ekonomisë, Nagip Skenderi, theksoi se këto politika kreditore mund të stimulojnë dhe nxisin bizneset për të zhvilluar veprimtaritë e tyre, njëherësh duke ndikuar në uljen e papunësisë.

Ndërsa, njohësi i ekonomisë Musa Limani, theksoi se ky fond do të ishte lehtësim nëse do të përmirësoheshin politikat kreditore./Gazeta Tribuna/Telegrafi/

Exit mobile version