Site icon Telegrafi

Fondacioni i Muskut dha më pak para sesa duhet në vitin 2023, miliarderi mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve

Fondacioni privat i njeriut më të pasur në botë nuk arriti të dhurojë shumën e kërkuar me ligj për të tretin vit radhazi.

Sipas të ashtuquajturës “rregulla e pesë përqindëshit,” fondacionet private janë të detyruara me ligj të drejtojnë të paktën pesë për qind të aseteve të tyre drejt kauzave bamirëse.

Fondacioni i Elon Muskut është ndër më të mëdhatë e këtij lloji, me një kapital prej 9 miliardë dollarësh, duke përfshirë miliona aksione të kompanisë së automjeteve elektrike Tesla, në pronësi të Muskut.

Lexo po ashtu Musk bëhet personi i parë që pasuria i vlerësohet 400 miliardë dollarë

Por gazeta The New York Times raportoi se “Fondacioni Musk” kishte një deficit prej 421 milionë dollarësh nga përmbushja e rregullës së pesë përqindëshit në vitin 2023, duke e bërë këtë vitin e tretë radhazi që nuk e arrin objektivin. Fondacioni kishte një deficit prej 234 milionë dollarësh në 2022 dhe 41 milionë dollarësh në 2021, por më vonë e mbuloi këtë mungesë për të shmangur një taksë ndëshkuese.

Në kontrast me fondacionet e tjera të filantropëve të pasur, të cilat zakonisht fokusohen në kauza të gjera shoqërore dhe për të mirën publike, fondacioni privat i Muskut është disi jo konvencional, duke u fokusuar në shërbimin e interesave të themeluesit të tij. Ky fondacion nuk ka staf të punësuar dhe drejtohet nga një bord tre-anëtarësh vullnetar, ku përfshihet vetë Musk.

Siç raportoi The New York Times në muajin mars, Fondacioni Musk ka vepruar në mënyrë të çrregullt dhe kryesisht për interesa vetjake, duke i mundësuar Musk përfitime të mëdha tatimore dhe ndihmuar bizneset e tij. Në vitet 2021 dhe 2022, rreth gjysma e donacioneve të fondacionit kishin lidhje në një farë mënyre me vetë miliarderin, bizneset ose punonjësit e tij, sipas raportit të gazetës.

Për mosarritjen e minimumit ligjor, fondacioni “mund të shpërndajë më shumë vitin e ardhshëm për të kompensuar”- ose të paguajë një gjobë të rëndë ndaj IRS-it.

Lexo po ashtu Sa shpenzoi Elon Musk për ta ndihmuar Trumpin të fitonte zgjedhjet në SHBA?

Por, Musk kohët e fundit ka sugjeruar se IRS-i (Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme) mund të jetë në shënjestër për t’u shfuqizuar në kuadër të Departamentit të Propozuar të Efiçencës Qeveritare (DOGE) nga administrata e presidentit të ri amerikan, Donald Trump.

“IRS sapo tha se dëshiron 20 miliardë dollarë më shumë”, shkroi Musk në platformën X muajin e kaluar, duke i pyetur përdoruesit nëse buxheti i tij duhet “rritur,” “mbetur njësoj,” “ulur,” apo “fshirë.”

Opsioni i fundit fitoi me 60 për qind të votave të përdoruesve. /Telegrafi/

Exit mobile version