Site icon Telegrafi

“Folklor. E ardhmja ishte kur?”

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, organizon ekspozitën “Folklor. E ardhmja ishte kur?” me artisten Patricia Esquivias, punë kuratoriale nga Vala Osmani.

“Patricia Esquivias ndërton tregimet e saj nga kujtesa, anekdotat dhe informatat, duke ndërtuar rrëfimin në të cilin autorja lexon tekstin dhe prezanton dokumentet prapa një kamere fikse pa ndërhyrje, pa prerje duke shmang çdo lloj editimi. Në krijimet e saj, mikro-tregimet përzihen me historinë e madhe në një mënyrë që në shikim të parë duket e shpërndarë, duke shfaqur pamundësinë e rrëfimit të historisë lineare, të thjeshtë dhe objektive.

Tonet personale që përcjellin imazhet i japin kredibilitet tregimit, pa e pamundësu që tregimi të vihet në pyetje. Punët e saj marrin trajtë prej eseve joformale, mikro-tregimeve, bisedave artistike dhe shënimeve. Dokumentet kanë karakter performativ, të krijuara në një sesion të vetëm; ato janë përmbledhje gojore të shqiptuara në gjuhën angleze, të mbështetura nga hulumtimi i gjerë i kryer nga artistja, të cilat ajo i përkthen në harta konceptuale dhe arkiva të imazheve. Improvizimi është gjithashtu pjesë e procesit dhe çmohet lartë nga artistja për shkak se mundëson fleksibilitet dhe gjithashtu lejon që dobësitë të shfaqen në performancë”, thuhet në një njoftim.

Patricia Esquivias (lindur në Karakas 1979) është rritur dhe ka jetuar në Madrid, ku edhe tash jeton. Punimet e saj janë shfaqur në shumë shtete të botës, qoftë në ekspozita personale apo kolektive. Ekspozita e saj në Prishtinë hapet më 18 prill në ora 20:00. /Telegrafi/

Exit mobile version