Site icon Telegrafi

Fol: Qeveria zbatoi vetëm 47,6 për qind e planit të punës për gjashtë muaj

Qeveria e Kosovës ka arritur të realizojë vetëm 47,6 për qind të planit të punës për gjashtë muaj. Nga mbi dy mijë aktivitete që ishin paraparë gjatë kësaj periudhe, ministritë realizuan vetëm 983 aktivitete.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte paraparë numrin më të madh të aktiviteteve, ndërkaq ajo për Kthim dhe Komunitete nga tetë aktivitete të parapara ka realizuar shtatë prej tyre.

Kështu është shprehur drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli-Nimani gjatë prezantimit të gjetjeve të monitorimit të planit vjetor të qeverisë.

Ajo ka thënë se Ministria e Mbrojtjes nuk është përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes Fol.

“Nga 2,063 aktivitete të parapara për këtë periudhë kohore, janë realizuar vetëm 983 aktivitete, apo në përqindje i bie që Qeveria e Kosovës ka realizuar vetëm 47,6 të planit vjetor për këtë periudhë kohore janar-qershor 2022. Ministritë që kanë paraparë një numër më të madh të aktiviteteve janë Ministria e Kulturës dhe ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Përderisa Ministria për Kthim dhe Komunitete ka paraparë të realizojë vetëm tetë aktivitete, që i bie që përqindja e realizimit del më e madhe se sa ministritë e lartcekura, për shkak të numrit të madh të aktiviteteve të parapara”, ka thënë ajo.

Më tej, ajo thekson se nga 76 aktivitete të parapara nga Ministria e Shëndetësisë, për gjashtë muaj janë realizuar vetëm 28 prej tyre.

“Zyra e Kryeministrit në kuadër të planit strategjik, operacional gjatë periudhës 1 janar-qershor 2022 ka paraparë të realizojë 98 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 46 nga to, apo përqindje del të jetë 46,9 për qind.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës periudhën janar-qershor ka paraparë të realizojë 35 aktivitete, prej të cilave ka realizuar vetëm 15, përqindja është 42,9 për qind. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për periudhën janar-qershor ka paraparë të realizojë 461 aktivitete, prej të cilave ka realizuar 103 nga to. Përqindja është shumë e vogël, 22,3 për qind”, ka shtuar ajo.

Në publikimin e këtij raporti, drejtoresha Mexhide Demolli-Nimani ka njoftuar se Ministria e Drejtësisë kishte paraparë mbi 90 aktivitete, por për gjashtë muaj janë përfunduar vetëm 53. Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka realizuar 56 aktivitete nga 96 të parapara nga janari deri në qershor. /KP/

Exit mobile version