Telegrafi

Fol: Pak transparencë për infrastrukturën rrugore

Ramdan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha se tryeza nuk ka për qëllim të njollos ndërtimet që janë duke u bërë në infrastrukturën rrugore. 

 Ndërkaq, Fidan Kalaja koordinator i projektit, prezantoj raportin “Transparenca e investimeve publike në infrastrukturën rrugore”. Sipas tij, investimet në infrastrukturën rrugore kanë qenë prioritet i qeverisë në këto tre vitet e fundit gjë e cila mund të shihet qartë edhe në planifikimin dhe në ndarjen e buxhetit për këtë sektor. 
“Vetëm në tri vitet e fundit, mesatarisht 30 deri në 50 për qind i buxhetit të Kosovës për investime kapitale është ndarë për projekte rrugore, kurse në tri vitet e ardhshme parashihet që kjo përqindje do të shkojë deri në 60 për qind.”, tha Kalaja. Sipas tij, duke u fokusuar kryesisht në projektin më të madh infrastrukturor pas lufte në Kosovë, Autostradën Morinë-Merdare. 
Ish-kryetarja e komisionit për Transport në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmani tha se është dobësi e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit që asnjëherë nuk ka dhënë llogari për investimet e bëra. “Me përjashtim kur është diskutuar për trasenë e Autostradës, më asnjëherë nuk kemi ditur asgjë për këtë projekt strategjik. Dy herë e kemi ftuar ministrin Limaj që të jetë në Komisionin për Transport dhe ai nuk ka ardhur” , tha Selmani. 
Sipas saj, Komisionit për Transport nuk e ka parë kontratën për ndërtimin e Autostradës mes MTPT-së dhe Becktel & Enka. “Sa i përket çmimit të ndërtimit të autostradës, gjatë një takimi me Komisionin Evropian është folur se kostoja e autostradës mund të kaloj edhe shifrën ekzistuese, mirëpo ne nuk kemi asnjë informacion zyrtarë”, tha Selmani. 
Avni Arifi, nga AAK-ja tha se Qeveria ka zgjedhur infrastrukturën rrugore që të investoj, dhe ky ka qenë lajm i mirë, mirëpo edhe më i mirë do të ishte sikur këto projekte të ishin më kualitative dhe më transparente. “Sa i përket transparencës në infrastrukturën rrugore, Kosova ka përjetuar një katrahurë buxhetore. Plus fjala është për rrugë të një kualiteti shumë të dobët. Në Kosovë nuk do të ketë autostradë. Do të ketë dy segmente rrugore Vërmicë-Orllat dhe Fushë Kosovë-Besi” tha Arifi. /Telegrafi/