Telegrafi

Fokus: Të akuzuarit e “Monstrës” u përgjuan (Video)

Katër nga të akuzuarit e rastit “Monstra”, Ali Demiri, vllëzërit Afrim dhe Agim Ismailoviç si dhe Fejza Aziri, sipas javores “Fokus” kanë qenë të përgjuar shumë kohë më parë se të ndodhë vrasja e pesë të rinjve në afërsi të liqenit të Smillkovës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Demiri ka qenë i përgjuar edhe me 20 prill të vitit 2012 ose tetë ditë para vrasjes së pesëfishtë. Tetë ditë para se të ndodhë vrasja në liqenin e Smillkovës ka qenë e përgjuar edhe Agim Ismailoviç, si dhe vëllau i tij por nuk dihet në cilën periudhë kohore.

Avokati Naser Raufi, për Alsat M thotë se shkrimi i “Fokus” është një dëshmi se kemi të bëjmë me proces të montuar kundër gjashtë shqiptarëve, të dënuar me burgim të përjetshëm.

Pala mbrojtëse dhe familjarët tani një kohë të gjatë kërkojnë që ky rast t’i kalojë PSP-së, por edhe përkundër gatishmërisë së ekipit të Janevas, këtë e pamundëson mosmiratimi i ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve të mbrojtur./Telegrafi/