Site icon Telegrafi

Foda: Kishim 40 deri 50 lojtarë në listë, vendosëm për ata që na kanë magjepsur

Franco Foda ka treguar arsyet pse ka zgjedhur emrat që ka ftuar për dy ndeshjet e para të tij në krye të Përfaqësueses së Kosovës.

Përzgjedhësi gjerman i Dardanëve ka zbuluar se kanë pasur një grup të lojtarëve prej 40 deri në 50 sosh, derisa ka treguar edhe arsyen pse ka zgjedhur këta të fundit.

Tekniku gjerman tha se kanë ardhur në përfundim të atyre emrave që janë në listë shkaku se ata futbollistë e kanë magjepsur atë dhe stafin e tij më shumë.

“Ne kemi udhëtuar shumë. Në Bukuresht ishte ndihmësi im. Kemi pasur një grup prej 40-50 lojtarë.Por ne jemi përcaktuar për lojtarët që na kanë magjepsur më shumë. Gjithsesi secili prej këtyre lojtarëve duhet të tregojë më të mirën”, tha Foda.

Lexo po ashtu Foda flet për listën e Kosovës, tregon arsyet pse nuk u ftuan Krasniqi, Zyba dhe Hyseni

Gjithsesi trajneri gjerman ndër të tjera tha se dyert e Përfaqësueses së Kosovës janë të hapura për të gjithë futbollistët dhe në grumbullimet e ardhshme lista mund të ndryshojë.

“Dyert janë të hapura për çdo lojtar. Secili do të ketë rastin për të treguar veten dhe të marr pjesë në ndeshje. Por po duam që këtyre lojtarëve që kemi përzgjedhur të kenë rastin të tregojnë veten”.

“Në të ardhmen do të përcjellim vazhdimisht lojtarët. Këto ndeshje dhe ndeshjet në verë na shërbejnë për të bërë përzgjedhjen e më të mirëve”, ka thënë Foda në konferencë për shtyp. /Telegrafi/ 

Exit mobile version