Telegrafi

FMN: Zgjerimi i shpenzimeve për beneficionet e luftës, po bën presion në buxhet

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka qëndruar në Prishtinë nga 23 marsi deri më 5 prill, për të kryer rishikimin e dytë të programit ekonomik të Kosovës të mbështetur me Marrëveshje Stand-By (SBA).

Ky mision ka vërejtur se janë bërë përparime të dukshme sa i përket frenimit të shpenzimeve rrjedhëse, si dhe kanë arritur rregullime të dukshme fiskale. Po ashtu FMN ka vlerësuar si stabil sistemin bankar në vend.

Pas përmbylljes së vizitës, shefi i misionit të FMN-së për Kosovë, Jacques Miniane ka thënë se diskutimet me Qeverinë e Kosovës kanë qenë konstruktive për politikat e përfundimit të rishikimit të dytë në kuadër të Marrëveshjes Stand-By.

Ai ka thënë se për shumicën e çështjeve është arritur mirëkuptim. Megjithatë, autoriteteve u kosovare u duhet kohë shtesë për t’i përvijuar synimet e tyre të politikave në disa fusha. Për këtë diskutimet do të vazhdojnë gjatë javëve në vijim.

“Performanca në kuadër të programit vazhdon të jetë e fuqishme në shumë fusha. Autoritetet kanë arritur rregullim të konsiderueshëm fiskal në vitin 2015, ku caqet e deficitit fiskal dhe balancit bankar të qeverisë kanë pasur performancë shumë më të mirë se që ishte paraparë me program, si dhe janë frenuar shpenzimet rrjedhëse. Bankat vazhdojnë të jenë në gjendje të mirë dhe rritja e vitit të kaluar në kreditë e lëshuara ka vazhduar. Është duke u shënuar progres në masat për eliminimin e barrierave strukturore në kredidhënie, avancimin e mbikëqyrjes bankare dhe përcaktimin e kornizës së politikave makroprudenciale. Sistemi i prokurimit publik është fuqizuar. Në të ardhmen, përdorimi i gjithmbarshëm i sistemit të ri është i rëndësishëm për ta bërë prokurimin më transparent dhe shpenzimin publik më efikas”, ka thënë shefi i misionit të FMN-së për Kosovë, Jacques Miniane, shkruan Telegrafi.

Por sipas tij, shqetësim paraqesin shpenzimet për benificionet e luftës.

“Megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, zgjerimi i shpejtë i shpenzimeve që kanë të bëjnë me skema të ndryshme, veçanërisht i beneficioneve të lidhura me luftën, është duke bërë presion gjithnjë më të madh në buxhet dhe është duke minuar përpjekjet e autoriteteve për ta ruajtur qëndrueshmërinë fiskale, duke krijuar hapësirë për projekte kapitale që nxisin rritje dhe shpenzime të tjera prioritare. Duke qenë të vëmendshëm për këtë rrezik, autoritetet në konsultim me stafin e FMN-së janë duke përgatitur një pako të masave që kanë për qëllim strukturimin dhe kalibrimin më të mirë të këtyre skemave, duke mbajtur shpenzimet përkatëse të ndërlidhura në 1 deri 1.25 për qind të BPV-së për vit. Kjo do të siguronte që caqet e programit fiskal të vitit 2016 të mbahen brenda kornizës së pranueshme dhe se buxheti i vitit 2017, i cili do të hartohet më vonë gjatë këtij viti, do të jetë në përputhje me rregullën fiskale”, theksoi Miniane.

“Diskutimet me autoritetet do të vazhdojnë, duke përfshirë edhe takimet pranverore në Uashington në vijim të këtij muaji”, përfundon deklaratën e tij, i pari i FMN-së në Kosovë. /Telegrafi/