Telegrafi

FMN ul parashikimin për SHBA

Në raportin e fundit, FMN thotë se perspektiva e ekonomisë globale po përballet me rreziqe të reja që nga raporti i fundit i muajit Prill dhe në këto rreziqe të reja përfshihet problemet e borxheve sovrane në Eurozonë si dhe shenjat e mbinxehjes së ekonomive në zhvillim.

Në raport, fondi me bazë në Uashington uli nga 2.8 për qind në 2.5 për qind parashikimin për ekonominë amerikane, në këtë vit dhe në nga 2.9 për qind në 2.7 për qind parashikimin për zgjerimin e ekonomisë së parë të botës, në vitin 2012. Për ekonominë globale fondi tha se ngadalësimi aktual duhet të jetë i përkohshëm.

Në rang global ekonomia sipas fondit do rritet me 4.3 për qind në këtë vit, ndërsa Kina do rritet me 9.6 për qind, pavarësisht shenjave të ngadalësimit të aktivitetit. Por pavarësisht shifrave, fondi paralajmëroi për përkeqësim të situatës në ekonominë globale nëse politikanët në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë nuk gjejnë një zgjidhje për problemet kombëtare të borxheve.

Fondi parashikon përmirësim të deficitit në SHBA në 9.9 për qind të prodhimit të brendshëm bruto kundrejt 10.8 për qind të parashikuar në prill. Për Eurozonën, fondi ka një përmirësim të parashikimit për rritje me 2.0 për qind në këtë vit dhe ngadalësim në vitin e ardhshëm me 1.7 për qind. /Telegrafi/