Kina dhe tregjet e tjera në zhvillim janë sot rreziku numër një për tregjet financiare globale, dhe ekziston mundësia që këto vende të infektojnë edhe tregjet financiare të vendeve të zhvilluara. Në këtë përfundim arrin Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në raportin e fundit global të stabilitetit financiar.
Ky raport është i ndarë në dy kapituj. Ndërkohë që kapitulli i parë flet për rrezikun që buron nga tregjet në zhvillim, kapitulli i dytë i referohet një tjetër rreziku global, atij që buron nga kompanitë e sigurimit.
Fondi Monetar ndërkombëtar nënvizon në këtë raport se, rreziqet që vijnë nga tregjet në zhvillim do të rriten edhe më shumë me kalimin e kohës, pasi ky rrezik është në përpjesëtim të drejtë me ndërlidhjen financiare të këtyre vendeve me tregjet e zhvilluara.
“Është e mundur që komplikacionet që gjeneron Kina në tregjet financiare globale të rriten ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme”, citon raporti. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar, këto komplikacione që vijnë nga tregjet në zhvillim janë rritur me 28% që prej krizës financiare globale të vitit 2008.
Kina, sipas këtij raporti është një rast unik, pasi çdo raportim i ekonomisë së vendit arrin të influencojë ecurinë e tregjeve financiare globale.
Kryetarja e Fondit Monetar, Christine Lagarde foli me tone disi më të zbutura duke ia vënë fajin ndryshimit të modelit ekonomik të Kinës. Ndër të tjera ajo theksoi se ngadalësimi i Rusisë dhe Brazilit rezulton më i egër se vlerësimet paraprake të Fondit. /Telegrafi/