Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron qeverisë shqiptare që të ndërmarrë një reformë të mirëfilltë në skemën e pensioneve.
Në raportin e fundit thuhet se rishikimi mbetet prioritet kryesor, edhe pse deficiti i skemës së pensioneve është aktualisht në një nivel historikisht të ulët.
FMN vlerëson se, me detyrimet e pensioneve që tejkalojnë kontributet, sistemi i pensioneve në Shqipëri tashmë po përballet me një deficit, dhe presionet mbi shpenzimet pritet të rriten me shtimin e të moshuarve në vend.
“Raporti i varësisë së moshës së të moshuarve në Shqipëri sot është 26 për qind, por pritet të trefishohet deri në vitin 2070, duke arritur në nivelin 83 për qind, një nivel shumë më i lartë se në vendet fqinje. Rritja e kostove të pensioneve mbështetet nga projeksionet e Kombeve të Bashkuara mbi ecurinë demografike që pritet të ketë vendi në afatgjatë dhe peshën që zë popullsia e moshuar”, thuhet në raport.
Megjithatë, FMN projekton edhe rritje të kontributeve shoqërore, së bashku me Prodhimin e Brendshëm Bruto për punëtor.