Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi pak ditë më parë një studim që mban autorësinë e ekspertëve Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman dhe që fokusohet tek Ballkani Perëndimor.
Edhe pse në qendër të raportit është rritja e rolit të gruas në ekonomi në Ballkanin Perëndimor, duket se dy studiuesit kanë nxjerrë edhe disa përfundime të përgjithshme që shprehin një realitet ë hidhur për vendet në veçanti.
Arsimi i dobët cilësohet si “thembra e Akilit” në Shqipëri. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet pas vendeve të tjera evropiane në të dyja aspektet si për sa i përket inputeve ashtu edhe outputeve. Në termat e inputeve, vendet e rajonit janë veçanërisht të varfra sa i përket qasjes në arsim (Shqipëria dhe Maqedonia) dhe aksesit në politikat e punësimit (Bosnja, Mali I Zi, Serbia). Për output-et rajoni është dobët sa i përket përfshirjes dhe përparimit, me dy nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor që renditen në gjysmën poshtë të gjithë mostrës së marrë në studim” thuhet në studimin e publikuar në faqen e FMN.
Nga ana tjetër i njëjti studim konfirmon një tezë që është mbrojtur edhe më parë lidhur me ndikimin negativ në ekonomi të “emigrimit të trurit”.
“Nivelet e edukimit të emigrantëve kishin tendencën të ishin më të larta sesa mesatarja e vendit të tyre të origjinës. Në 2010 pjesa e emigrantëve nga Shqipëria, Bosnja dhe Serbia me shkollim të lartë ishte dukshëm mbi nivelin ekuivalent të popullsisë në përgjithësi. Duke pasur parasysh që këto vende kanë një pjesë të vogël të popullsisë me shkollim të lartë në popullsinë totale, “largimi i trurit” në emigracion mund të ketë pasur implikime serioze në produktivitet(si dhe në rritjen ekonomike) dhe ka lënë vendet e Ballkanit Perëndimor me një forcë pune të aftë në nivele dukshëm të ulëta” thuhet në studimin e Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman. /monitor/