Telegrafi

FMN: Sfidë rritja ekonomike dhe punësimi

Rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të reja të punës janë sfidat kryesore me të cilat përballet globi, ndërsa mjedisi me norma të ulëta interesi paraqet gjithashtu një rrezik.

Ky është paralajmërimi i zëvendësdrejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Zhu Min. Është shumë e rëndësishme për bankat qendrore të vazhdojnë të mbajnë interesat e ulëta për shkak të rritjes së dobët ekonomike, por rritja e oreksit të investitorëve në një ambient me likuiditet të bollshëm, paraqet një rrezik.

“Ne shohim pasiguri në terma afatgjatë për investitorët të cilët janë në kërkim të mundësive fitimprurës. Kjo mund të sjellë rreziqe, që lidhen me normat e ulëta të interesit”, tha Zhu Min.
Normat e interesit në bankat qendrore më të mëdha të botës, duke përfshirë Rezervën Federale, Bankën Qendrore Europiane dhe Bankën e Anglisë, janë në nivelet më të ulëta rekord. Por ka shumë paqartësi mbi kohën se kur bankat qendrore në SHBA apo Britani do të rrisin për herë të parë normën e interesit. Sa i përket ekonomisë kineze, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se gjatë këtij viti do të rritet midis 7.2 dhe 7.5 për qind.

Ndërsa sipas FMN-së, Ukraina është në rrugën e duhur për të plotësuar kushtet e programit të kredisë. Në ditën e Premte të javës së kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkroi këstin e parë të kredisë prej 1.4 miliard dollarë për Ukrainën, pjesë e paketës 17 miliardë dollarë të miratuar në Maj të këtij viti. Megjithatë, Fondi paralajmëron për rrezikun që do t’i kanoset ekonomisë globale në rast të thellimit të tensionit midis Perëndimit dhe Rusisë. /Telegrafi/