Telegrafi

FMN: Rritja ekonomike në Shqipëri 0-1%

“Ne mendojmë se rritja do të jetë 0-1%. Do te jetë pozitive, por është një shifër shumë e pasigurte”, ka deklaruar përfaqësuesi i FMN-së, Guerin Bell.

Bell thotë se edhe kjo rritje, edhe pse më e ulta e parashikuar ndonjëherë nga FMN, mund të arrihet vetëm nëse qeveria do të ndërhyje me disa masa të forta fiskale, të cilat prekin drejtpërsëdrejti të ardhurat e shqiptareve.

“Shpenzimet janë në varësi të mbledhjes se të ardhurave, ndaj rritja e pagave dhe pensioneve nuk duhet të kryhet. S’ka vend për uljen e kontributeve. Këto kanë një ndikim në bilancin e pagesave. Nuk mund të rriten pagat dhe pensionet përmes huave ndërkombëtare”, ka shtuar Bell.

Ky sugjerim i FMN-së nuk është mbështetur nga ministri shqiptar i Financave, Ridvan Bode. “Me 5% të GDP, pa përfshirë financimin e buxhetit të vitit, rripat janë të sigurt. Gjithçka mund të realizohet përmes politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe uljes me 15% të kontributit të sigurimeve shoqërore”, ka deklaruar Bode.

Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani mbështet idenë e rishikimit të shpenzimeve qeveritare me tendence uljen e tyre. “Është e domosdoshme rialokimi i shpenzimeve publike”, ka pohuar Fullani.

Edhe pse qeveria nuk pranon të ulë shpenzimet, ministri i Financave ka pranuar për herë të parë publikisht se arka e shtetit ndodhet në një situatë jo të lehtë financiare, dhe në nevoje urgjente për para, megjithëse e konsideroi këtë gjendje si momentale. /Telegrafi/tch/